Ahmeti i drejtohet Mickoskit: Lufta u ndërpre me kompromis! Respektoni Marrëveshjen e Ohrit

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti nga tendat e Frontit Europian në mbrojtje të gjuhës shqipe tha se Gjykata Kushtetuese duhet ta hedhë poshtë debatin për 13 nenet dhe tentimet për të cunguar gjuhën shqipe, ose përndryshe qetësi nuk do të ketë.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti i është bashkëngjitur nismës “Roja e gjuhës” para Gjykatës Kushtetuese. Nga tenda para Gjykatës, Ahmeti i dërgoi mesazh kryeministrit Hristijan Mickoski, që mos të preket, siç tha ai, palca e shqiptarëve.

“Z.Hristijan, lufta u ndërpre me një kompromis që palët nuk i kënaq, edhe ne jemi të pa kënaqur me atë kompromis, por kompromiset janë zgjidhja më e mirë. Si për ju, ashtu edhe për ne. Prandaj respektoni Marrëveshjen e Ohrit dhe mos cenoni dhe mos prekni në palcën e shqiptarëve, sepse nuk është mirë as për ju, as për ne, ky shtet është i përbashkët”, tha Ahmeti.

 

Ahmeti tha se ne duam demokraci, ne duam që vendi ynë të jetë gjithmonë në progres dhe sa më afër integrimit evropian.

“Në këto momente jo aq të mira për ne, neve po na rrezikohet diçka e shenjtë e fituar me gjak nëpër shekuj, gjuha jonë. Do doja nga ky shesh t’i drejtohem Hristijan Mickoskit.

Ne duam paqen, ne duam demokraci, ne duam liri, e duam për të gjithë, ne duam që vendi ynë të jetë gjithnjë e më tepër në progres dhe sa më afër BE-së, e jo të veprojmë në institucione për të dëmtuar një gjuhë e cila është zyrtare dhe e dalë nga një process dialogues.

Këta tanët çdo ditë i ndërrojnë qëndrimet, unë e di se sa trimëri kanë. Gjykata le të vendosë drejtë, ndryshe qetësi nuk ka”, tha Ahmeti.

Publikuar nga Publik Media