AKSHI/ Dosja “bombë”: Si funksiononte skema Ergys Agasi-Ermal Beqiri & Co
Një skemë e dyshuar korrupsioni me përmasa të mëdha është zbuluar nga hetimet e SPAK, ku në qendër ndodhet kompania “EA Solution” e Ergys Agasit, e cila dyshohet se është përdorur si instrument për transferimin e ryshfetit në këmbim të fitimit të tenderave publikë nga AKSHI.
Sipas dosjes hetimore, mbi 1.05 miliardë lekë (rreth 10.6 milionë euro) dhe mbi 470 mijë euro janë transferuar nga kompani të ndryshme drejt “EA Solution”, formalisht si pagesa për shërbime, por që sipas hetimeve rezultojnë të kenë qenë shpërblime për favorizimin në tendera.
Në këtë skemë përfshihet edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila është marrë e pandehur dhe më pas ka dhënë dorëheqjen. Hetimet tregojnë për lidhje të ngushta mes saj dhe Agasit, që dyshohet se kanë ndikuar në përzgjedhjen e fituesve në procedurat e prokurimit publik.
Zgjerimi i hetimeve dhe emrat e rinj
Dosja është thelluar më tej në muajin shkurt, duke shtuar katër persona të rinj në listën e të hetuarve: ish-nëndrejtori Daniel Shima, Arjola Koromani, si dhe Gentian Likaj dhe Emirton Suli.
Po ashtu, nën hetim janë vendosur edhe shtatë kompani të lidhura me tenderët e AKSHI-t, ndërsa akuzat përfshijnë “shkelje të barazisë në tendera”, “grup i strukturuar kriminal” dhe “kryerje veprash penale nga organizata kriminale”.
Për sipërmarrësit Andis Papa dhe Gëzim Hoxha është shtuar akuza për shkelje të barazisë në tendera.
Rëndimi i akuzave: korrupsion dhe pastrim parash
Më 16 prill, hetimet kanë rënduar më tej situatën për Agasin dhe bashkëpunëtorët e tij, duke shtuar akuzën e korrupsionit për disa prej tyre, përfshirë edhe Ermal Beqiri.
Ndërkohë, për ish-drejtoreshën Karçanaj është shtuar edhe akuza për pastrim parash, ndërsa nën hetim është vendosur edhe sipërmarrësi Elision Jorgjis për korrupsion dhe pastrim parash.
Skema e ryshfetit dhe kërcënimeve
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, në të paktën një rast janë paguar mbi 1.1 milion euro pas kërcënimeve që dyshohet se Ermal Beqiri i ka bërë një kompanie pjesëmarrëse në një tender.
Hetuesit kanë zbuluar se kompania “EA Solution” ka faturuar shuma të mëdha ndaj operatorëve ekonomikë si “Fastech”, “First”, “Soft & Solution” dhe të tjera, pa pasur kapacitet real për të ofruar shërbimet e deklaruara. Kjo sipas SPAK përbën një skemë tipike të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Verërat luksoze: “dhurata” për tenderat
Një nga elementët më të pazakontë të dosjes është zbulimi i një kantine me verëra luksoze në vilën e Agasit në “Equos Resort” në Tiranë, me një vlerë mbi 950 mijë euro.
Hetimet kanë zbuluar se këto verëra nuk janë paguar nga Agasi, por janë siguruar si formë shpërblimi nga kompani që kishin përfituar tendera nga AKSHI.
Një faturë e gjetur në vilën tjetër të tij në Qerret çoi në identifikimin e furnizuesit “Fast & Fresh”, në pronësi të Andis Papës, i cili njëkohësisht zotëron edhe “Fastech shpk”.
Vetëm në periudhën Tetor 2024 – Nëntor 2025, kjo kompani ka importuar pije në vlerë mbi 1.13 milion euro, ndërsa ka faturuar mbi 94 milion lekë ndaj kompanive të përfshira në skemë.
Sipas dëshmisë së Andis Papës, porositë për verërat bëheshin nga Arjola Koromani, ndërsa pagesat kryheshin përmes bankës apo cash, shpesh në formë paradhënieje.
Zhdukja e provave dhe dyshimet e forta
Rreth 600 shishe verë të sekuestruara në vilën e Agasit rezulton se janë zhdukur, pasi autoritetet ia kishin lënë Doganës detyrën për bllokimin e tyre për mungesë pullash fiskale.
SPAK thekson se ekzistojnë “dyshime të arsyeshme të bazuara në prova” për një skemë të mirëorganizuar korrupsioni dhe pastrimi parash, ku faturat janë përdorur për të legalizuar pagesat korruptive.
Milionat e transferuara
Hetimet kanë dokumentuar një rrjet pagesash që kap shifra marramendëse:
- 855,204,527 lekë (rreth 8.9 milion euro) dhe 470 mijë euro të përfituara nga “EA Solution”
- 123,629,664 lekë nga “First shpk”
- 174,834,120 lekë nga “Fastech shpk” (vetëm një transaksion në janar 2025)
- 235,761,543 lekë të faturuara nga “EA Solution” ndaj “Fastech”
- Transaksione të shumta nga “Soft & Solution” për periudhën 2023–2025
Sipas hetuesve, këto pagesa përbëjnë ryshfet të dhënë në këmbim të paracaktimit të fituesve në tenderat publikë të AKSHI-t.
Dosja e SPAK evidenton një strukturë të organizuar kriminale që vepronte përmes kompanive private dhe lidhjeve me zyrtarë publikë për të manipuluar tenderat dhe për të përfituar miliona euro.
Materialet hetimore janë referuar për veprime të mëtejshme, ndërsa pritet që çështja të kalojë në faza të tjera procedurale, me akuza që tashmë përfshijnë korrupsion, pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



