Aksioni i SPAK-ut tek AKSHI fut në sherr dy gazetaret
Përplasje e fortë mes Desada Metajt dhe Anila Hoxhës
Një debat i fortë ka shpërthyer në rrjetet sociale mes dy gazetareve të njohura të kronikës, Desada Metaj dhe Anila Hoxha, lidhur me arrestimet e fundit të SPAK për AKSHI-n dhe largimin e biznesmenit Ergys Agasi.
Shkak për replikat ishte një postim ironik i gazetares Anila Hoxha, e cila duke iu referuar largimit të Agasit, shkruante:
“Alo, mbërrite në Dubai? Shumë mirë, tani po e pres atë fletëarrestin”.
Ky reagim solli menjëherë kundërpërgjigjen e Desada Metajt, e cila kritikoi mungesën e raportimit mbi arrestimet në median ku punon Hoxha.
“Ndoshta është e vërtetë kjo Anila. Po atje ku punon ti, në TCH, nuk ka asnjë rresht për arrestimin. As për Mirlinda Karçanajn, as për Ermal Beqirajn, madje as për Ergys Agasin. Kanë ikur apo jo është rrjedhojë. Si fillim, një media, sidomos një TV kombëtar, e ka për detyrë ta japë lajmin. Nuk fshihet hëna në thes… dhe as Mirlinda në Gridë”, shkruan Metaj.
Reagimi i Anila Hoxhës nuk vonoi. Ajo ironizoi situatën dhe i drejtoi një kundërpërgjigje koleges së saj:
“Rëndësi ka që policia moraliste dhe bojatisëse në Facebook funksionon ditë e natë. Sa për Ergys Agasin, besoj se ti duhet të kesh më shumë informacion se unë. Faleminderit”.
Debati u përshkallëzua më tej me një tjetër reagim nga Metaj, e cila e akuzoi Hoxhën për mbajtje informacioni dhe për mungesë transparence editoriale.
“Ti paske informacion edhe më shumë se SPAK. Mirë është t’ia thuash redaksisë dhe t’i botosh informacionet, mos i mbash përbrenda. Ose shkruaji këtu, siç i shkruaj unë”, shkruan ndër të tjera Metaj.
Përplasja mes dy gazetareve ka ngjallur reagime të shumta në rrjet, duke rikthyer në vëmendje rolin e mediave, raportimin e ngjarjeve sensitive dhe debatet e brendshme në tregun mediatik shqiptar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco






