Akuzat e forta: Linda e vërtetë e AKSHI-t, është Linda e Surrelit!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar publikisht për deklarime të pavërteta lidhur me pasuritë e ish-drejtoreshës së AKSHI-t, e cila është nën hetim nga SPAK.
Sipas Berishës, Rama ka pretenduar se ish-zyrtarja jeton në kushte modeste me qira, ndërkohë që, sipas tij, ekzistojnë të dhëna që tregojnë për prona të konsiderueshme, përfshirë vila në zonat e Palasës dhe Qerretit, si dhe apartamente në Tiranë. Ai theksoi se këto informacione, sipas burimeve që ai i cilëson të besueshme, hedhin dyshime mbi transparencën e deklarimeve publike të kryeministrit.
Në vijim të deklaratave të tij, Berisha ngriti pikëpyetje mbi qëndrimin e Ramës ndaj drejtësisë, duke pretenduar se ky i fundit shmang përballjen me organet hetimore, ndërsa njëkohësisht, sipas tij, mbron figura të lidhura me çështje të dyshuara për afera. Ai shtoi se kjo sjellje, sipas tij, lidhet me ndikime të brendshme dhe interesa që shkojnë përtej institucioneve shtetërore.
Në fokus të akuzave të tij ishte edhe bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama, për të cilën Berisha sugjeroi se ka rol indirekt në çështjet që lidhen me institucionin e AKSHI-t, një pretendim që mbetet pa një reagim zyrtar nga pala e përmendur.
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur debati politik në vend është përqendruar fort te drejtësia dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, duke shtuar tensionet mes mazhorancës dhe opozitës.
“Ju e dëgjuat se Edi Rama sillet nga Linda te Belinda, nga Belinda tek Linda. Kjo është e vërteta. Tani ky dëshmitari i rremë u tha shqiptarëve se Mirlinda e AKSHI-t e gjora që na banonte në një shtëpi me qira, kaq e gjorë ishte. Dëshmi absolute të besueshme të njerëzve, bashkëpunëtorëve të ngushtë të saj, të atij që e ka marrë shofer dhe e ka bërë zv drejtor të përgjithshëm del se ka dy vila në Palasë dhe një vilë në Qerret dhe apartamente në Tiranë. Çështja shtrohet a thirret në SKAP ky dëshmitar i rremë që mashtron shqiptarët dhe u thotë shqiptarëve që është kaq e varfër dhe banon me qira. Ai nuk pranon të shkojë, por shqiptaret duhet ta dinë. Pse Edi Rama detyrohet të bëhet dëshmitar i rremë i pasurive të Mirlindës? NJë njeri mizogen dhe brutal. Çfarë e shtyn atë të bëhet avokat i Mirlindës? Atë e shtyn fakti se Linda e vërtetë e AKSHI-t është Linda e Surrelit. Kjo është e vërteta,” tha Berisha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



