Akuzohet për korrupsion, arrestohet ish-zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut
Ish-zëvendëskryeministri i parë i Maqedonia e Veriut, Artan Grubi, është vetëdorëzuar pranë pikës kufitare Bllacë me Kosovën, pasi ishte shpallur në kërkim në zbatim të masës së arrestit me burg.
Sipas policisë, Grubi është paraqitur në hyrje të territorit të Maqedonisë së Veriut rreth orës 06:10, ku është arrestuar menjëherë nga autoritetet dhe është shoqëruar në komisariat për procedura të mëtejshme.
Ai dyshohet se është i përfshirë në një hetim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik, në kuadër të çështjes që lidhet me funksionimin dhe kontratat e Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut.
Sipas organeve të ndjekjes penale, hetimet kanë të bëjnë me vendime dhe kontrata që dyshohet se kanë shkaktuar dëme financiare të konsiderueshme në buxhetin e institucionit, të përllogaritura në rreth 500 milionë denarë, ose mbi 8 milionë euro.
Gjykata kishte caktuar më herët masën e paraburgimit ndaj Grubit, ndërsa ai ishte shpallur në kërkim për shkak të mosparaqitjes para organeve të drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



