E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Alarmi i Braçes për Spitalin Amerikan, kërkon auditim nga KLSH
Lajme

Alarmi i Braçes për Spitalin Amerikan, kërkon auditim nga KLSH

“Janë bërë PAGESA pa kryer shërbime”

Deputetët kërkojnë që Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) të kryejë një auditim të plotë 10-vjeçar për tre koncesionet më të përfolura në sistemin shëndetësor, hemodializën, sterilizimin dhe kontrollin bazë mjekësor.

Kërkesa u ngrit gjatë prezantimit të raportit vjetor të KLSH-së për vitin 2024, në Kuvend, ku deputeti socialist Erion Braçe vuri në dukje se këto kontrata, që po i afrohen fundit të afateve, kanë pasur shkelje të përsëritura dhe pagesa për shërbime që nuk janë kryer.

““Po lexoj nga raporti edhe për vitin 2023 thuhet në të, kontrata koncesionare “Për ofrimin e hemodializës”, ka rezultuar me pagesa për shërbime të pakryera, konkretisht për 9241 raste nën projeksion dhe 1557 raste mbi projeksion, në shumën 103,527 mijë lekë. Këtë gjetje e kam hasur vazhdimisht në vitet, është e njëjta sjellje vit për vit. Cili është rekomandimi që i keni bërë autoritetit përkatës që monitoron këtë kontratë që ka mbaruar praktikisht? Do doja që të kishim një auditim të plotë të 10-viteve të këtyre kontratave, nga dita e parë deri në fund të këtyre kontratave, që të ndihmohet edhe MSH nëse do i zgjasë, ti lë matanë apo të vazhdojë shërbimi publik”, deklaroi Braçe.

Koncesioni i hemodializës, që menaxhohet nga Spitali Amerikan i biznesmenit Klodian Allajbeu, është prej vitesh në qendër të akuzave për faturime të fryra dhe shërbime të paofruara, ndërsa shkeljet janë konfirmuar edhe nga KLSH.

Kreu i KLSH-së, Arben Shehu, pranoi se auditimet kanë zbuluar pagesa të paligjshme dhe mungesë monitorimi, duke kërkuar nga qeveria që të analizojë mënyrën e rikuperimit të dëmit financiar.

“Për kontratat në shëndetësi kemi kryer veprimet, ua kemi vënë në dispozicion të Kuvendit. Ne jemi shprehur për problematikat, dhe shteti duhet të bëjë një analizë të detajuar për të rikuperuar dëmin brenda afateve të detyrueshme. Në fushën koncesioneve, janë konstatuar shkelje të kritereve të financimit, mangësi në monitorim dhe në vlerësimin e efekteve buxhetore afatgjata. Në disa raste është vijuar me pagesa për shërbime që nuk janë kryer, ose që janë kryer në vëllime më të ulëta se projeksioni. Fenomene të tilla janë vërejtur në kontrata të rëndësishme në fushën e shëndetësisë, ku raportimi i shpenzimeve ka tejkaluar buxhetet e miratuara dhe detyrimet janë likuiduar në kundërshtim me përmbajtjen kontraktore, përfshirë edhe TVSH-në”, tha Arben Shehu, kreu i KLSH-së.

Sipas raportit të KLSH për vitin 2024, janë kryer 159 auditime dhe janë bërë 13 kallëzime penale, që lidhen me raste ku janë konstatuar shkelje të rënda të ligjit dhe dëme financiare për buxhetin e shtetit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.