E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Alarmi i imamit: Brenda unazës së Tiranës ka xhami problematike
Flash

Alarmi i imamit: Brenda unazës së Tiranës ka xhami problematike

Duke u ndalur te rasti i Oroshit, ku Julian Cumraku dhe Erzen Uka u arrestuan pasi kërcënuan forcat e RENEA-s me armë, imami Ylli Gurra ngriti shqetësimin se në Shqipëri ende ekzistojnë disa xhami që po shërbejnë si terren për ideologji ekstreme.

Ai deklaroi se njëra prej këtyre xhamive problematike ndodhet brenda Unazës së Tiranës dhe akuzoi Komunitetin Mysliman se nuk ka vepruar me kohë për të vendosur rend dhe autoritet fetar aty, duke mos emëruar një imam të rregullt.

“Duhet ndarë qartë besimi islam dhe besimtarët myslimanë nga ata që kanë përfunduar të manipuluar dhe keqpërdorur. Flasim për individë që shkuan deri në Siri, ndryshe nga qindra mijëra myslimanë të tjerë në Shqipëri. Ajo që të shtyn të bësh pyetje është mënyra si janë keqpërdorur disa xhami, si ajo e Kryevizit. Edhe pse jemi në vitin 2025, ende kemi objekte kulti ku duhej ndërhyrë prej vitesh. Dikur ishin shumë më tepër, sot kanë mbetur disa dhjetëra, por sërish ekzistojnë,” u shpreh Gurra në “Terminal” në A2 CNN.

Ai solli në vëmendje edhe raste të tjera në Pogradec, Pukë dhe sërish në Kryeviz, duke theksuar se problemi nuk është zhdukur dhe se edhe në Tiranë rezultojnë disa xhami të tilla. Sipas tij, një pjesë e fajit bie edhe mbi vetë Komunitetin Mysliman, të cilin ai e akuzoi për mungesë vullneti dhe përgjegjshmërie.

Duke iu rikthyer rastit të Xhamisë së Mëzezit, ku në vitin 2014 ndërhynë forcat e sigurisë dhe shërbimet inteligjente për shkak të dyshimeve për radikalizëm, Gurra theksoi se ajo situatë u zgjidh vetëm pasi u emërua një imam i ri dhe u vendos rendi.

Në rastin e Unazës së Re, sipas tij, kjo gjë nuk ka ndodhur as atëherë e as sot.

“Xhamia e Mëzezit u rikthye në normalitet pas koordinimit mes forcave të sigurisë, inteligjencës dhe komunitetit lokal. Ndërkohë, te xhamia e Unazës së Re, Komuniteti Mysliman nuk ka ndërhyrë as atëherë e as sot. Mesa duket, disa individë përfitojnë fonde në emër të islamit modern apo të ashtuquajtur, duke lënë që një ‘dele e zezë’ të ekzistojë për të justifikuar probleme më të gjera,” deklaroi Gurra.

Sipas tij, kjo mungesë reagimi krijon terren që grupe të caktuara të etiketohet si burime të radikalizmit, ndërsa institucioni që duhet të mbajë përgjegjësi, siç thotë Gurra, “ka zgjedhur të heshtë”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.