E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Alarmohen fqinjtë, si kalon lirshëm droga nga Shqipëria në Malit të Zi
Lajme

Alarmohen fqinjtë, si kalon lirshëm droga nga Shqipëria në Malit të Zi

Radio Televizioni Publik i Malit të Zi ka ngritur shqetësimin për shtimin e rasteve të kontrabandës së drogës që dyshohet se hyn në territorin malazez nga Shqipëria, përmes rrugëve tokësore dhe ujore, kryesisht nga zona e Shkodrës dhe Liqeni i Shkodrës.

Sipas raportimeve mediatike në Podgoricë, disa ditë më parë policia ndërhyri në fshatin Zbelj të Komunës së Tuzit, ku u ndalua një automjet që po lëvizte me shpejtësi të lartë. Gjatë kontrolleve, mjeti u gjet i braktisur, ndërsa brenda tij u zbuluan 95 pako me lëndë narkotike, që dyshohet se ishte marijuanë e ardhur nga Shqipëria, me një peshë totale rreth 107 kilogramë.

Autoritetet policore malazeze sqarojnë se operacioni u zhvillua nga Qendra Rajonale e Policisë Kufitare “Centar”, në bashkëpunim me strukturat për luftën kundër krimit ndërkufitar. Sipas tyre, rasti ka rikthyer vëmendjen te ekzistenca e një rrjeti të gjerë rrugësh të paligjshme që përdoren prej vitesh për kontrabandë, të cilat anashkalojnë pikat zyrtare kufitare mes dy vendeve.

Burime të afërta me hetimin bëjnë me dije se në zonën mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, veçanërisht përgjatë Liqenit të Shkodrës, ekzistojnë kalime që janë thuajse të padukshme për qytetarët e zakonshëm, por shumë të njohura për grupet kriminale. Një prej këtyre itinerareve, sipas burimeve, kalon përmes liqenit nga fshati Zogaj në Shqipëri drejt zonës së Ostrosit në Mal të Zi.

Po ashtu, rrugë të tjera të dyshuara përfshijnë linja që nisen nga Shkodra, Bajza apo Alajë, kalojnë përmes liqenit dhe përfundojnë në zona si Golubovci, ndërsa përmenden edhe itinerare alternative nga Kopliku drejt Tuzit, përtej kontrollit kufitar.

Mediat malazeze rikujtojnë se raste të ngjashme janë regjistruar edhe më herët. Dy vite më parë, policia gjeti 57 kilogramë marijuanë në zonën bregdetare të Liqenit të Shkodrës, pranë kanalit të lumit Moraça, afër stacionit hekurudhor Zeta, çka forcoi dyshimet për përdorimin sistematik të kësaj rruge ujore për kontrabandë.

Përveç rajonit të Tuzit, rrugë të paligjshme raportohen edhe në zonën e Ulqinit, ku nga Velipoja dyshohet se kontrabandistët hyjnë në Donji Štoj, duke shmangur pikën kufitare të Sukobinit. Po ashtu, përmenden kalime të njohura në zonat e Shasit dhe Dajçit, si dhe itinerare të tjera ilegale që lidhin Shqipërinë me Gucinë.

Sipas burimeve policore, numri i këtyre rrugëve të paligjshme është dukshëm më i madh sesa ai i dokumentuar zyrtarisht, duke e bërë kontrollin e plotë të kufirit tepër të vështirë. Në këtë kontekst, rajoni i Liqenit të Shkodrës konsiderohet veçanërisht problematik dhe përdoret kryesisht për kontrabandën e marijuanës.

Mediat në Mal të Zi rikujtojnë se Shqipëria është cilësuar prej vitesh si një nga qendrat kryesore të prodhimit të kanabisit dhe skunkut, pavarësisht operacioneve policore të ndërmarra në zona të njohura si Lazarati. Sipas tyre, rrugët e kontrabandës drejt Evropës Perëndimore kalojnë shpesh përmes territorit malazez.

Zbulimi i mbi 100 kilogramëve marijuanë në zonën e Tuzit ka ngritur pikëpyetje serioze për sasinë reale të lëndëve narkotike që mund të hyjnë çdo ditë në Mal të Zi përmes këtyre itinerareve të paligjshme.

Të dhëna të publikuara më herët nga agjenci ndërkombëtare flasin për përmasa industriale të këtij aktiviteti. Sipas disa raporteve, prodhimi vjetor i kanabisit në zona të caktuara të Shqipërisë ka arritur shifra shumë të larta, ndërsa vlera e tregut të paligjshëm të marijuanës në nivel global llogaritet në dhjetëra miliarda dollarë.

Në tregjet e rajonit, marijuanë e prodhuar në Shqipëri blihet me çmime relativisht të ulëta dhe shitet disa herë më shtrenjtë në qytete si Podgorica, Beogradi, Sarajeva apo Zagrebi, duke e bërë këtë aktivitet një burim fitimi të madh për rrjetet kriminale në Ballkan.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.