Aldo Bare nuk tërhiqet, i drejtohet sërish Kushtetueses
Aldo Bare i është drejtuar për herë të dytë Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve të gjykatave shqiptare që lidhen me dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Kërkesa e re është regjistruar më 11 shtator 2026.
Sipas të dhënave të publikuara nga Gjykata Kushtetuese, Bare kërkon të shpallen antikushtetuese dhe të shfuqizohen vendimi nr. 397, datë 31 korrik 2024, i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendimi nr. 269, datë 27 dhjetor 2024, i Gjykatës së Posaçme të Apelit, si dhe vendimi nr. 00-2026-151, datë 10 shkurt 2026, i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Vendimi i Gjykatës së Lartë është publikuar në faqen zyrtare të saj më 4 maj 2026.
Kjo është hera e dytë që Aldo Bare i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, pas kërkesës së paraqitur prej tij në vitin 2017. Ai u ekstradua nga Turqia drejt Shqipërisë dhe aktualisht ndodhet në burg.
Kërkesa për rishikimin e dënimit
Në themel të çështjes që ka mbërritur tashmë në Gjykatën Kushtetuese qëndron kërkesa e Bare për rishikimin e vendimit penal nr. 17, datë 28 mars 2011, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë.
Me atë vendim, Aldo Bare, i njohur edhe si Alfred Shkurti, u deklarua fajtor për një sërë veprash penale, përfshirë vrasje me paramendim, vrasje në rrethana të tjera cilësuese, vrasje të mbetur në tentativë, prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve, shkatërrim prone me zjarr dhe krijim të organizatës kriminale. Në zbatim të bashkimit të dënimeve, gjykata caktoi ndaj tij dënimin përfundimtar me burgim të përjetshëm.
Vendimi u apelua dhe pas disa etapave gjyqësore, Gjykata e Lartë, më 2 korrik 2015, kishte vendosur mospranimin e rekursit. Më pas, Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 27, datë 27 mars 2017, pranoi pjesërisht kërkesën e Bare, duke shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Lartë dhe duke e kthyer çështjen për rishqyrtim.
Pas rishqyrtimit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 00-2022-1738, datë 22 dhjetor 2022, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.
Bare kërkoi rishikimin e vendimit
Më tej, Bare iu drejtua Gjykatës së Posaçme me një kërkesë për rishikimin e vendimit të vitit 2011. Ai pretendoi se ekzistonin një sërë rrethanash që, sipas tij, përbënin shkaqe ligjore për rihapjen e çështjes.
Një nga argumentet kryesore lidhej me vendimin nr. 51, datë 20 shtator 2011, të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, që kishte të bënte me Arben Boriçin, Ilir Stërgun dhe Afrim Hoxhën, të akuzuar edhe ata për vrasjen e Xhevat Demirit.
Sipas vendimit të apelit të vitit 2011, për këta tre persona ishte pushuar çështja për akuzën e vrasjes së Demirit, pasi gjykata kishte arritur në përfundimin se provat e administruara nuk ishin të mjaftueshme për të provuar fajësinë.
Bare pretendoi se ky vendim përbënte një provë të re dhe se faktet e konstatuara aty ishin të papajtueshme me ato mbi të cilat ishte bazuar dënimi i tij.
Ai ngriti gjithashtu pretendime mbi dëshminë e Mimoza Demirit, duke e cilësuar atë kontradiktore dhe të pabesueshme, si dhe pretendoi se kishte mospërputhje lidhur me pozicionin e saj në automjet dhe mundësinë për të identifikuar autorët e ngjarjes.
Në rekursin e tij, Bare kundërshtoi edhe aktet e ekspertimit balistik, duke pretenduar se kishte mospërputhje mes numrit të gëzhojave të evidentuara në vendngjarje dhe atyre që ishin objekt ekspertimi.
Mes pretendimeve të tjera, ai ngriti çështje lidhur me njoftimin e akuzave, afatet e hetimit, përdorshmërinë e provave, respektimin e të drejtës së mbrojtjes dhe pretendime për shkelje procedurale gjatë procesit.
Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr. 397, datë 31 korrik 2024, vendosi mospranimin e kërkesës për rishikim.
Gjykata arsyetoi se vendimi nr. 51 i vitit 2011 nuk mund të konsiderohej si vendim që kishte konstatuar fakte të papajtueshme me ato të çështjes së Bare. Sipas saj, bëhej fjalë për një vlerësim të ndryshëm të të njëjtave prova dhe jo për konstatim të fakteve të ndryshme.
Gjykata vlerësoi gjithashtu se vendimi i vitit 2011 nuk mund të konsiderohej “provë e re”, pasi ai kishte ekzistuar dhe ishte bërë publik gjatë kohës kur çështja e Bare ishte ende në proces shqyrtimi gjyqësor.
Për pretendimet lidhur me falsifikimin e gjeneraliteteve të dëshmitares Mimoza Demiri, gjykata arsyetoi se nuk ishte paraqitur ndonjë vendim gjyqësor i formës së prerë që të provonte falsifikimin dhe, për më tepër, nuk ishte provuar lidhja shkakësore mes këtij pretendimi dhe vendimit të dënimit.
Gjykata theksoi gjithashtu se pretendimet për mënyrën e vlerësimit të dëshmive, kontradiktat mes provave, papërdorshmërinë e akteve të ekspertimit apo shkeljet procedurale nuk përbënin, sipas saj, shkaqe për rishikimin e një vendimi penal të formës së prerë.
Apeli la në fuqi vendimin
Bare e ankimoi vendimin, por Gjykata e Posaçme e Apelit, me vendimin nr. 269, datë 27 dhjetor 2024, la në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Në arsyetimin e saj, gjykata theksoi se shkaqet për rishikimin e një vendimi penal të formës së prerë janë të përcaktuara në mënyrë taksative nga neni 450 i Kodit të Procedurës Penale.
Sipas gjykatës, pretendimet e Bare për parimin “ne bis in idem”, pavlefshmërinë e akteve, kalimin e afateve të hetimit, mosnjoftimin e akuzës, të drejtën e mbrojtjes, vlerën e provave dhe rregullsinë e akteve të ekspertimit i përkasin fazave të zakonshme të gjykimit dhe ankimit.
Apeli vlerësoi se vendimi nr. 51 i vitit 2011, që kishte të bënte me bashkë të pandehurit e çështjes së Xhevat Demirit, nuk mund të shërbente si shkak ligjor për rishikimin e dënimit të Bare.
Gjykata e Lartë: rekursi nuk plotëson kushtet ligjore
Çështja përfundoi sërish në Gjykatën e Lartë, e cila më 10 shkurt 2026 mori në shqyrtim rekursin e Bare.
Kolegji Penal arriti në përfundimin se rekursi nuk bazohej në shkaqet e parashikuara nga neni 432 i Kodit të Procedurës Penale dhe vendosi mospranimin e tij.
Gjykata e Lartë u ndal veçanërisht te pretendimi se vendimi nr. 51 i vitit 2011 përbënte shkak për rishikim. Sipas Kolegjit Penal, duhet bërë dallimi mes “papajtueshmërisë së fakteve” dhe një “vlerësimi të ndryshëm të të njëjtave fakte”.
Sipas arsyetimit të Gjykatës së Lartë, vendimi për Arben Boriçin, Ilir Stërgun dhe Afrim Hoxhën nuk nënkupton automatikisht se të njëjtat përfundime duhet të zbatohen edhe për Aldo Baren. Gjykata theksoi se bëhet fjalë për persona të ndryshëm dhe se përgjegjësia penale duhet të vlerësohet individualisht për secilin të pandehur, mbi bazën e provave që lidhen me rolin e tij konkret.
Gjykata e Lartë vlerësoi gjithashtu se vendimi i vitit 2011 nuk plotësonte kriteret e një prove të re. Sipas Kolegjit, Bare kishte pasur mundësi objektive të njihej me ekzistencën e tij gjatë rrugëtimit të mëparshëm gjyqësor.
Për pretendimet mbi dëshminë e Mimoza Demirit, ekspertimet balistike dhe dëshmitarët e rinj të propozuar si provë alibie, Gjykata e Lartë arsyetoi se këto çështje lidhen me vlerësimin e provave dhe faktet e çështjes, ndërsa rishikimi është një mjet i jashtëzakonshëm që mund të përdoret vetëm në rastet e përcaktuara nga neni 450 i Kodit të Procedurës Penale.
Në përfundim, Kolegji Penal vendosi:
“Mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi Aldo Bare (Alfred Shkurti), kundër vendimit nr. 269, datë 27.12.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”
Tashmë, me kërkesën e regjistruar më 11 shtator 2026, Bare i është drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e tre vendimeve të fundit gjyqësore që lidhen me kërkesën e tij për rishikimin e dënimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



