Allajbeu “mbret” i tenderave të barnave, merr 7 kontrata pa garë
Myzyri i OPB i jep kompanisë “Evita” 2.8 mln euro
Operatori i Blerjeve të Përqendruara, nën drejtimin e Jonaid Myzyrit, vijon të administrojë fondet e shëndetësisë përmes procedurave që në shumë raste karakterizohen nga mungesa e konkurrencës reale. Në valën më të fundit të prokurimeve, kompania “Evita”, në pronësi të Klodian Allajbeut, ka siguruar tetë kontrata me një vlerë të përgjithshme rreth 267 milionë lekë, ose afërsisht 2.8 milionë euro. Ajo që bie në sy është fakti se shtatë prej këtyre tenderave janë fituar pa asnjë rival në garë.
Këto kontrata lidhen me dy marrëveshje kuadër 24-mujore për furnizimin e spitaleve publike me medikamente. Procedura e parë, e njohur si B1, përfshin një fond limit prej 4.5 miliardë lekësh të ndarë në 117 lote, ndërsa procedura B2 kap vlerën e 5.9 miliardë lekëve të shpërndara në 142 lote. Në këto paketa përfshihen barna për trajtime të ndryshme, nga terapia intensive dhe sëmundjet tumorale, deri te patologjitë kardiovaskulare, neurologjike dhe infektive.
Megjithatë, analiza e shpërndarjes së loteve tregon se një pjesë e konsiderueshme e tyre përfundojnë te operatorë të njëjtë, duke krijuar një terren të favorshëm për përqendrim përfitimesh.
“Evita” rezulton një nga përfituesit kryesorë, duke marrë një lot në procedurën B1 dhe shtatë lote në procedurën B2. Në total, kjo kompani ka përthithur rreth 2.8 milionë euro, ku shumica dërrmuese e kontratave janë dhënë pa konkurrencë.
Në procedurën B1, kompania është shpallur fituese për Lotin 5, që lidhet me furnizimin me solucion fiziologjik “Sodium Chloride 0.9% (100 ml)”. Fondi limit ishte rreth 11 milionë lekë të vjetra dhe oferta fituese arriti në afro 99.6% të vlerës, pa pasur asnjë ofertues tjetër.

Në procedurën B2, “Evita” ka siguruar disa lote të rëndësishme. Mes tyre është Loti 123 për furnizimin me Tinzaparinë natriumi, një medikament antikoagulant i përdorur për parandalimin e mpiksjes së gjakut. Edhe ky tender, me fond limit rreth 1 miliard lekë të vjetra, është fituar pa garë me ofertë pothuajse sa vlera maksimale.
Po ashtu, kompania ka marrë pjesë në lote të tjera si ai për Ibuprofen (800 mg dhe 400 mg), Morphine për trajtimin e dhimbjeve të forta, si dhe solucione si Glucose 5% dhe Sodium Chloride. Në shumicën e këtyre rasteve, procedurat janë zhvilluar pa konkurrencë, ndërsa ofertat janë shumë pranë fondit limit, duke lënë pak hapësirë për kursim të fondeve publike.
I vetmi rast ku është zhvilluar një garë reale është Loti 68 për antibiotikun Teicoplanin 400 mg, ku nga tre operatorë pjesëmarrës, “Evita” është shpallur fituese me ofertë dukshëm më të ulët se fondi limit.
Megjithëse legjislacioni parashikon mundësinë e tenderave me një operator në raste të veçanta, përdorimi i shpeshtë i kësaj praktike ngre pikëpyetje mbi transparencën dhe efikasitetin e menaxhimit të fondeve publike. Kur një kompani arrin të sigurojë shumicën e kontratave pa konkurrencë, krijohet perceptimi i procedurave të orientuara dhe një tregu të mbyllur.
Pozicioni i Klodian Allajbeut në sektorin e shëndetësisë mbetet dominues, jo vetëm përmes kompanive farmaceutike, por edhe përmes kontratave të mëdha të partneritetit publik-privat, si koncesioni i hemodializës dhe ai i laboratorëve, me një vlerë të kombinuar prej qindra milionë eurosh. Këto kontrata kanë qenë vazhdimisht objekt debatesh dhe kritikash, sidomos nga pacientët dhe aktorë të shoqërisë civile.
Në këtë kontekst, përqendrimi i tenderave dhe mungesa e konkurrencës reale shton dyshimet për një strukturë të konsoliduar ndikimi mbi fondet publike të shëndetësisë, duke ngritur nevojën për më shumë transparencë dhe kontroll institucional.








Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



