E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ambasadorja Kim: Administrata e  Baiden nuk ndryshon politikën ndaj Ballkanit
Publik News

Ambasadorja Kim: Administrata e Baiden nuk ndryshon politikën ndaj Ballkanit

Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka tashmë një qeverisje të re, drejtuar nga Presidenti Joe Biden, ambasadorja Yuri Kim e ftuar në emisionin “Real Story” në News24 me Sokol Ballën u shpreh se edhe me administratën e re, vëmendja që SHBA ka ndaj Ballkanit nuk ndryshon.

 

 

Zonja Kim foli më tej për mësimin që i dhanë ngjarjet e 6 janarit jo vetëm Amerikës, por botës mbarë. Ajo tha se demokracia nuk është e lehtë dhe duhet të luftosh për të, por shtoi se ishte krenare për faktin se SHBA arriti ta kalojë këtë test të vështirë.

PJESE NGA INTERVISTA

Sokol Balla: Pra, ç’duhet të presim nga administrata e re?

Ambasadorja Kim: Mendoj se disa gjëra nuk do të ndryshojnë, për shembull, vëmendja ndaj Ballkanit nuk do të ndryshojë. Mendoj se çdo administratë ka një karakter të ndryshëm dhe mendoj se do të duhet të shohim si do zhvillohen gjërat nën Presidentin Biden dhe, tani Sekretarin e Shtetit të konfirmuar Tony Blinken, por mund t’ju them kaq: ata janë me përvojë dhe mendoj se do të jenë shumë të aftë për të promovuar vlerat e Amerikës dhe për të bërë avokatin e interesave të Amerikës, çka qëllon të përfshijë një marrëdhënie të fortë me Shqipërinë.

Sokol Balla: Në fakt, mendoj se kemi një foto tuajën me Presidentin Biden. E kemi foton e Znj. Kim me Z. Biden, besoj ishte Zv. President? Fotoja është nga koha kur ishte Zv. President, apo jo?

Ambasadorja Kim: Është nga koha kur ishte Zv. President dhe këtu po e informoja mbi çështje të brendshme politike. Ju betohem që po qeshte një minutë përpara dhe pas.

Sokol Balla: Sa për t’u siguruar …

Ambasadorja Kim: Po…

Sokol Balla: Diçka që askush nuk e vë dot në dyshim është marrëdhënia juaj personale, profesionale me Sekretarin e ri të Shtetit, Z. Blinken. Ishit shefe e kabinetit të tij, po?

Ambasadorja Kim: Saktë.

Sokol Balla: Na tregoni pak më shumë për të.

Ambasadorja Kim: Isha shefe e kabinetit të tij kur ishte Zv. Sekretar i Shtetit, nga 2015 në 2017. Është një nga njerëzit më inteligjentë dhe me të menduar strategjik që kam hasur ndonjëherë në shërbimin publik. Dhe ne që e njohim presim me kënaqësi ta shohim të kthehet në Departamentin e Shtetit dhe, si mike, nuk mund të isha më e lumtur.

Sokol Balla: Si mike s’mund të ishit më e lumtur; si miku juaj, si mund ta ndikonte misionin tuaj në Shqipëri?

Ambasadorja Kim: Nuk mendoj se është nga ata që tregon favorizim në bazë të marrëdhënieve personale. Do të shohë botën dhe mendoj se do të mbresoheni nga mënyra si zhvillon marrëdhënie me homologët e tij. Mendoj se do të mbresohemi me mënyrën se si SHBA do të bëjë përpjekje ekstra për të forcuar të gjitha aleancat dhe miqësitë tona kudo në botë.

Sokol Balla: Zonja ambasadore, na keni dhënë shumë mësime historie dhe Amerika ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një pasqyrë ku shohim veten dhe përmirësojmë veten. Në këtë kuptim, çfarë mësimi mund të marrim nga çfarëdo përjetuat para, gjatë dhe pas 6 janarit?

Ambasadorja Kim: Mendoj se mësimet e përvojës së Amerikës gjatë javëve dhe muajve të fundit janë se demokracia nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë për askënd. Nuk është e lehtë në SHBA, nuk është e lehtë në Shqipëri apo kudo tjetër në botë. Ky është mësimi i parë. I dyti është që është me rëndësi dhe me vlerë dhe duhet të luftosh për të. Dhe e treta është që institucionet kanë rëndësi, udhëheqësia ka rëndësi ndaj, për mua, kur shoh Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jam krenare për faktin se ia dolëm ta kalonim këtë test shumë të vështirë dhe mendoj se e kaluam. Mendoj se ka ende punë për të bërë, por mendoj edhe që kur vende të tjera në botë, popuj të tjerë, kur shohin shembullin tonë, ajo që shohin nuk është se mund të kemi pasur një ngërç, por se e kapërcyem dhe se do të jemi më të fortë dhe do të nxjerrim mësime nga kjo. Dhe vërtet, si Ambasadore këtu në Shqipëri, këtë shpresoj edhe për Shqipërinë.

Sokol Balla: Në fakt, sa do thoja të njëjtën gjë, sepse aksdentalisht u ndodha atje…

Ambasadorja Kim: Po…

Sokol Balla: …dhe ajo që më bëri përshtypje është se si përfaqësuesit e popullit u bënë bashkë në vetëm dy a tre orë dhe përcollën mesazhin e fortë që përcollët edhe ju këtu. Që Amerika, kur vjen fjala tek…ka probleme, ka ngërçe, në momentin e duhur, kohën e duhur, vendin e duhur madje, dolën bashkë përsëri dhe ishte një apel emocional që Amerika na bëri neve, njerëzve që shohin tek Amerika për shpresë dhe, ndoshta për pak sekonda e humbëm atë shpresë, por pastaj gjithçka u kapërcye aq shpejt dhe aq mrekullueshëm. Ishte mrekulli spektakli politik që dhanë pas ngjarjeve. Dhe pyetja ime është: pse politikanët shqiptarë nuk e bëjnë dot këtë, kur vjen puna tek çastet e vështira, kur kemi çaste të vështira në këtë vend, pse nuk bëjnë të njëjtën gjë?

Ambasadorja Kim: Mendoj se munden …

Sokol Balla: …E di që munden, por pse nuk e bëjnë?

Ambasadorja Kim: Duhet të pyesni ata.

Sokol Balla: Mendoni se munden?

Ambasadorja Kim: Po.

Ndërsa e cilësoi mbrojtjen si një nga prioritetet e shtetit që përfaqëson, ambasadorja Yuri Kim foli edhe për projekte konkrete madhore në fushën e mbrojtjes, siç është stërvitja ushtarake ‘Defender 21’ e drejtuar nga Ushtria e SHBA në Europë me pjesëmarrjen e 30 mijë trupave nga 26 vende të ndryshme.

zuri kim

 

 

Kim u shpreh se në Shqipëri do kalojnë 6 mijë trupa, ndërsa sqaroi se kjo stërvitje tregon qartë rendësinë që ka puna e ngushtë me aleatët dhe miqtë e NATO-s për SHBA.

PJESE NGA INTERVISTA

Sokol Balla: Kjo stërvitje ushtarake, nga shifrat që thatë tani, duket mjaft e madhe apo jo? Ndoshta një nga më të mëdhatë?

Ambasadorja Kim: Do të jetë stërvitja më e madhe ushtarake që do të zhvillohet në Ballkan.

Sokol Balla: Në Ballkan?

Ambasadorja Kim: Po.

Sokol Balla: Pra, cili është mesazhi këtu?

Ambasadorja Kim: Mesazhi është që …

Sokol Balla: … dhe pse në Shqipëri?

Ambasadorja Kim: Do të përfshihen 26 vende të ndryshme që do të dërgojnë trupa. Nuk e di nëse të gjitha do të kalojnë këtu, por 6 mijë do të jenë këtu. Ajo që do të ndodhë është që stërvitja do të zhvillohet në shumë vende të ndryshme, jo vetëm në Shqipëri. Edhe vendet e tjera të Ballkanit do të jenë pjesë e stërvitjes dhe deri në Balltik. Ideja e stërvitjes është të zhvillojë bashkëpunimin dhe ndëroperabilitetin mes aleatëve, që të kemi aftësinë të shkojmë nga Adriatiku deri në Detin e Zi. Pra, është diçka madhore.

Sokol Balla: Po, duket diçka madhore dhe një mur i madh.

Ambasadorja Kim: Po…

Sokol Balla: Si një mur i madh ndaj influencës ruse. Kështu e shoh unë.

Ambasadorja Kim: Ah, thatë mur i madh. Mendova se thatë ecje e madhe, se ashtu do të jetë.

Sokol Balla: Do të jetë një ecje e madhe dhe mur i madh.

Ambasadorja Kim: Mendoj se SHBA, nëpërmjet NATO-s, gjithmonë ka qenë e qartë për rendësinë që ka puna e ngushtë me aleatët dhe miqtë tanë. Jemi të qartë se çfarë do të thotë të jesh pjesë e bashkësisë ndër-atlantike.

Sokol Balla:
 Kjo duket se është organizuar shumë përpara se të ndërrohej administrata në Uashington, apo jo?

Ambasadorja Kim: Po, e saktë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.