E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
ANALIZA/ “Basha para një prove të madhe, me kthimin e Alizotit, PD-ja një hap drejt bashkimit, por tani…”
OP-ED

ANALIZA/ “Basha para një prove të madhe, me kthimin e Alizotit, PD-ja një hap drejt bashkimit, por tani…”

AGRON GJEKMARKAJgjekmarkaj

Dje në “Panorama” u botua një kërkesë e disa shoqatave  të ish-të persekutuarve dhe përndjekurve politikë drejtuar Lulzim Bashës! Në dukje një kërkesë e pazakonte, por tejet e motivuar mirë nga ana e tyre. PD elektoratin e saj me besnik dhe më pak të tundueshëm për ta tradhtuar e ka pasur dhe ka tek kjo shtresë.

Edi Rama është përpjekur të luajë diversionin edhe me ta, por pa ndonjë sukses të konsiderueshëm. Sali Berisha ka shfaqur gjithmonë intuitë politike duke ju dhënë atyre një përfaqësim dinjitoz nëpërmjet Pjeter Arbnorit dhe Jozefina Topallit.(Për këtë Zonjë Berisha dhe Basha duhet të gjejnë mënyrën që ajo të rikthehet ku i takon).

Shpesh herë PD i ka zhgënjyer dhe keqpërdorur të persekutuarit gjatë historisë 29 vjeçare të pluralizmit. Madje në vitin 1994 edhe i ka rrahur. Herë të tjera ka përkrahur haptas elementë të lidhur me komunizmin para atyre. Por përtej diatrribave Partia Demokratike ka qenë gjithmonë më afër ish-të persekutuarve dhe ka bërë me shumë se të tjerët për ta.

PS për shumë vite pas rënies së komunizmit i konsideronte ende bij të reaksionit ndaj të cilëve është bërë ndonjë gabim e kaq. Në të njëjtën kohë duhet pranuar që Partia Demokratike është një parti elektorale, e cila përpiqet t’i joshë edhe të tjerët. Në disa raste kjo joshje ka shkuar pak larg duke harruar bazën e saj të mbështetjes.

Nga viti 2013, periudhë kur Lulzim Basha drejton PD, asnjë emër i spikatur i kësaj shtrese nuk ishte në drejtimin e lartë të kësaj partie si Sekretar i Përgjithshëm, apo nënkryetar i saj. Duhet pohuar që PD është larguar nga tradita e saj në këtë këndvështrim.

Një nga figurat më simpatike të asaj partie përfaqësues i së djathtës historike si i tillë tejet i persekutuar nga regjimi komunist, pinjoll i një familje të madhe shqiptare Tomor Alizoti, për habi të të gjithëve u la jashtë listave për deputet të kësaj partie.

Alizoti, ndryshe nga shumë të tjerë që fati nuk ju buzëqeshi, ia doli me forcat e veta të shkollohej në mënyrë ekselente në perëndim duke krijuar një profil të lartë intelektuali e diplomati. Gjatë kohës që mbulonte seksionin e ish-të përndjekurve në PD binte në sy përpjekja për të modernizuar konceptet e së djathtës dhe marrëdhënien me historinë e viktimat e saj. PD dhe Lulzim Basha për një kohë të gjatë nën kritika duket se janë në një fazë reflektimi.

Rikthimi i Alizotit në Këshillin Kombëtar të PD është një shenje e mire politike, por edhe cilësore. Skeptikët mendojnë që është ende pak. Kësaj here ish-të persekutuarit janë bërë të gjallë vetë dhe nuk kanë pritur “mëshirën” e kreut të PD. Me gjasë ata besojnë që mbështetja e tyre duhet përkthyer në emra konkret, ndaj i kanë kërkuar Bashës që Alizoti të mbështetet për t’u zgjedhur si nënkryetar i PD.

Basha është përballë një prove. Së pari ai duhet të kapitalizojë vlerat më të mira që ka në PD duke menaxhuar ata emra të cilët nuk bartin valenca korrupsioni, apo të tjera ngarkesa negative e mbi të gjitha edhe spikamë intelektuale. Alizoti është një nga ata. Por me syrin e një vëzhguesi  të jashtëm mund të thuhet që Jorida Tabaku, Gazmend Bardhi, Belind Kelliçi, Oerd Bylykbashi, Enkeled Alibeaj, Halim Kosova, Selami Xhepa, Florion Mima, Gazmend Oketa, Aleksander Biberaj, Albana Vokshi, Genc Pollo, Erald Kapri etj zotërojnë aftësi politike dhe tanimë eksperiencë.

PD e ka jetik reformimin dhe ndryshimin e vërtetë. Strukturat e brendshme reflektojnë kahien dhe seriozitetin. Po kaq jetike PD dhe Opozita në tërësi e kanë të domosdoshme hapjen ndaj elitës së vendit pa xhelozi dhe hipokrizi me tendencën e forcimit të publikes dhe përfaqësimit në këto organizma.

Me kthimin e Alizotit, PD po bën një hap drejt bashkimit. Por është vetëm një hap, i cili duhet shoqëruar me të tjerë duke tejkaluar emocionet personale sidomos kur flitet për bashkim. Kolazhi i krizave dhe skandaleve, protesta studentore, depresioni shoqëror dhe ikjet masive e ftojnë opozitën per ta parë veten thellë në drejtimin e vetëkorrigjimit. Mungesa e këtyre proceseve, ose bërja keq e tyre do t’i rrinë PD -së mbi kokë si penalitet. Kompaktësimi i së djathtës bëhet me akte konkrete e me njerëz që kanë fytyrë e emër sidomos përballe anonimitetit të qeverise.

Teleskopët, dylbitë dhe lupat janë mbi Bashën dhe strukturat që ai do zgjedhë të shtunën. E ka provë të madhe serioziteti, apo shakaje. E kemi thënë nga mesazhi qe do i çojë shoqërisë duhet të prese reagimin e saj. Mbështetjen, neutralitetin apo kundërshtinë. Shoqëria është organizëm i gjallë, e cila reagon sipas nevojave dhe pritshmërive.

Të parat duhen plotësuar, të dytat duhen nxitur. Qeveria s’ka bërë asnjërën , përkundrazi. Sytë janë nga opozita bashkë me dyshimet përkatëse, që Basha me të vetët duhet t’ua heqë. Kthimi i Tomorr Alizotit gjithsesi është një lajm i mire për politikën./ Panorama

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.