Anglia kërkon largimin e shqiptarëve: Merrni 3 mijë paund dhe ikni
Familjet shqiptare që do të deportohen nga Britania e Madhe, pasi u ka përfunduar e drejta e qëndrimit, mund të përfitojnë mbi 3 mijë stërlina për t’u larguar vullnetarisht nga ishulli.
Kjo është bërë e mundur pas marrëveshjes së riatdhesimit mes Shqipërisë dhe Britanisë, nënshkruar në vitin 2022 nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ish-kryeministri britanik Rishi Sunak.
Zv-Ministri britanik për Sigurinë e Kufijve, Alex Norris, deklaroi për median vendase se kjo shumë përbën një investim të mirë për taksapaguesit britanikë, por nuk specifikoi saktësisht shumën që mund t’u ofrohet familjeve.
“Për momentin mund t’u paguajmë rreth 3 mijë stërlina dhe nuk kërkojmë ndjesë për këtë,” tha Norris, duke theksuar se synimi është të ulen shpenzimet e mbajtjes së familjeve që nuk kanë të drejtë qëndrimi.
Ndërkohë, fëmijët e azilkërkuesve të refuzuar do të deportohen gjithashtu, edhe nëse kanë lindur në Britani. Zv-Ministri bëri me dije se rastet do të shqyrtohen individ për individ dhe në bazë të ligjeve të emigracionit.
Ministrja laburiste e Punëve të Brendshme, Shabana Mahmood, njoftoi në parlament se deri tani rreth 700 familje shqiptare janë identifikuar për deportim dhe po shqyrtohet mundësia e rritjes së shumës që do u jepet atyre që pranojnë largimin vullnetar.
Taksapaguesit britanikë vazhdojnë të paguajnë për strehimin e azilkërkuesve me fëmijë që nuk kanë pranuar të largohen vullnetarisht, duke e bërë këtë një çështje të rëndësishme për politikën e emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



