E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Apeli e ktheu në burg, vendimi për Kokën ende nuk është ekzekutuar
Lajme

Apeli e ktheu në burg, vendimi për Kokën ende nuk është ekzekutuar

Ish-ministri “zhduket” jashtë vendit, avokati: Po kurohet!

Megjithëse Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur rikthimin në burg të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, për çështjen e inceneratorit të Tiranës, ky vendim ende nuk është ekzekutuar. Shkak është fakti se ai ndodhet jashtë Shqipërisë prej rreth katër muajsh e gjysmë.

Avokati i tij, Maksim Sota, ka bërë të ditur se ish-ministri ka pasur probleme shëndetësore që gjatë kohës kur ishte në burg dhe, pas lirimit në muajin dhjetor, është larguar jashtë vendit për të marrë trajtim më të specializuar.

Sipas tij, Koka është në dijeni të vendimit të Apelit dhe pritet të rikthehet në vend sapo të përfundojë kurimin.

Kujtojmë se më 16 prill 2025, Lefter Koka u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë me dy vite burg për shpërdorim detyre në bashkëpunim, në lidhje me procedurat e inceneratorit të Tiranës. Në atë kohë, gjykata vendosi edhe shuarjen e masës së sigurisë, duke argumentuar se dënimi ishte konsumuar gjatë periudhës së paraburgimit.

Megjithatë, lirimi i tij u ndikua edhe nga dy çështje të tjera që lidhen me kontratat koncesionare të inceneratorëve në Elbasan dhe Fier.

Në muajin dhjetor, Koka u lirua me vendim të Gjykatës së Durrësit, pasi u konsiderua se kishte shlyer detyrimet penale ndaj tij.

Ndërkohë, gjatë shqyrtimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit, Prokuroria kërkoi rishqyrtim të pjesshëm të çështjes dhe rillogaritje të dënimit. Gjykata pranoi kërkesën, duke rrëzuar pjesën e vendimit që kishte shuar masën e sigurisë, çka nënkupton se ish-ministri duhet të rikthehet për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Aktualisht, vendimi mbetet i paekzekutuar, ndërsa autoritetet pritet të ndërmarrin hapat përkatës për kthimin dhe zbatimin e tij.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.