Apeli pranon kërkesën e Ilir Metës për të dalë nga kafazi
Gjykata e Apelit ka pranuar kërkesën e Ilir Metës për të mos qëndruar më në kafazin e qelqtë gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor, duke urdhëruar që ai të jetë në sallën e gjyqit së bashku me avokatin e tij.
Vendimi është shpallur ditën e sotme dhe përbën një nga kërkesat e para të paraqitura nga ish-presidenti lidhur me mënyrën e zhvillimit të seancave ndaj tij.
Sipas raportimeve, trupi gjykues me kryesuese Saida Dollani ka pranuar argumentimin e palës mbrojtëse, duke i hapur rrugë zhvillimit të seancave ku Meta do të qëndrojë jashtë strukturës së qelqtë dhe me përfaqësuesin e tij ligjor pranë.
Ndërkohë, beteja tjetër ligjore për Metën pritet të zhvillohet po sot. Në orën 15:30, Gjykata e Apelit do të shqyrtojë kërkesën e tij lidhur me masën e sigurisë.
Pra, pas vendimit për pozicionimin e tij gjatë seancave gjyqësore, vëmendja tashmë përqendrohet te kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë, për të cilën pritet të merret një vendim nga gjykata.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



