E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Apeli/ Kujdes ndaj ‘ofertave’, mashtrimet online po bëjnë ‘kërdinë’
Ekonomi

Apeli/ Kujdes ndaj ‘ofertave’, mashtrimet online po bëjnë ‘kërdinë’

Ja skemat që po zbrazin llogaritë bankare

Mashtrimet në internet po shënojnë rritje shqetësuese, ndërsa qytetarët po bëhen gjithnjë e më shpesh objekt i skemave që synojnë vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare. Paralajmërimi vjen nga Shoqata e Bankave, e cila nënvizon se ofertat joshëse apo njoftimet e rreme janë ndër format më të përdorura nga mashtruesit.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, një nga skemat më të përhapura është dërgimi i linqeve të rreme që imitojnë faqet zyrtare. Qytetarët, të shtyrë nga besimi apo kurioziteti, futin të dhënat e tyre personale dhe të sigurisë, si kode apo PIN-e, duke i dhënë kështu akses mashtruesve në llogaritë e tyre.

“Pasi klikohen këto lidhje, përdoruesit udhëzohen të plotësojnë të dhënat personale, sikur ndodhen në një faqe të besueshme. Në realitet, bëhet fjalë për një faqe të rreme dhe fondet përfundojnë në llogaritë e kontrolluara nga mashtruesit,” shpjegon Brumbulli.

Një tjetër formë e zakonshme mashtrimi janë mesazhet apo email-et që njoftojnë për një pako të mbërritur, duke kërkuar konfirmimin e të dhënave ose kryerjen e një pagese të vogël online. Këto njoftime shpesh duken bindëse, por synojnë të marrin informacion financiar nga viktimat.

Ekspertët theksojnë se këto mesazhe shpërndahen si përmes telefonit, ashtu edhe përmes postës elektronike, dhe shpesh shfrytëzojnë reagimin e shpejtë të qytetarëve. Në disa raste, individët kanë rënë pre e mashtrimit duke ndjekur udhëzimet e dërguara.

Bankat u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos ndajnë në asnjë rast të dhënat e tyre bankare. Çdo mesazh apo email nga burime të panjohura duhet të fshihet menjëherë, pa u hapur lidhjet e përfshira apo pa u kontaktuar numrat e dhënë.

Po ashtu, këshillohet që qytetarët të mos reagojnë ndaj njoftimeve urgjente apo ofertave që duken shumë të mira për të qenë të vërteta. Institucionet financiare nuk kërkojnë kurrë përmes mesazheve apo email-eve informacione të ndjeshme si numri i kartës, PIN-i apo fjalëkalimet.

Autoritetet identifikojnë tre forma kryesore të mashtrimit online: ofertat e rreme që përdorin emra të markave të njohura, njoftimet për blerje apo shërbime të paqena dhe mesazhet që pretendojnë se një pako ka mbërritur, duke kërkuar pagesa ose të dhëna personale.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.