Europol: Rrjetet kriminale shqiptare forcojnë ndikimin global
Si po e shtrijnë ndikimin nga Amerika Latine në Evropë
Agjencia evropiane për zbatimin e ligjit, Europol, ka publikuar raportin e saj më të fundit mbi rrjetet kriminale që përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë në Bashkimin Evropian. Ky është raporti i dytë i këtij lloji, pas analizës së parë të publikuar dy vite më parë, dhe ofron një pasqyrë të përditësuar mbi strukturat më të rrezikshme kriminale që operojnë në kontinent.
Në këtë raport, një vëmendje e veçantë i kushtohet rrjeteve kriminale shqiptare, të cilat sipas Europol, kanë zgjeruar ndjeshëm aktivitetin e tyre ndërkombëtar dhe kanë konsoliduar lidhjet me kartelet e drogës në Amerikën Latine.
Sipas analizës, këto rrjete janë tashmë të vendosura në disa vende të Amerikës Latine dhe luajnë një rol kyç në menaxhimin dhe koordinimin e trafikut të kokainës drejt Evropës. Ato përfitojnë nga bashkëpunimet e forta me organizatat kriminale lokale, duke mundësuar transportin e sasive shumë të mëdha të drogës drejt porteve kryesore evropiane.
Raporti thekson se organizatat kriminale shqiptare janë të afta të menaxhojnë dërgesa shumëtonëshe kokaine, duke operuar në mënyrë të sofistikuar dhe të mirëorganizuar në shkallë globale. Për realizimin e këtyre operacioneve, ato bashkëpunojnë me rrjete të tjera kriminale brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, duke krijuar një zinxhir të plotë nga prodhimi deri te shpërndarja finale.
Një rol të rëndësishëm në këtë strukturë luan edhe mafia italiane, veçanërisht ‘Ndrangheta, e cila ka ndërtuar rrugë të qëndrueshme të trafikut të kokainës nga Amerika Latine. Kjo organizatë përdor rrjete kriminale shqiptare për të menaxhuar operacionet në terren, duke forcuar kështu kontrollin mbi tregun evropian të drogës.
Në raport përmendet edhe një rast konkret i një rrjeti kriminal shqiptar, i organizuar mbi baza klanore, i cili merrej me trafik droge dhe pastrim parash. Ky grup kishte ngritur një strukturë të mirëfilltë ndërkombëtare, duke koordinuar dërgesa të mëdha nga distanca përmes komunikimeve të enkriptuara dhe duke bashkëpunuar me organizata të ndryshme kriminale.
Një tjetër rast i analizuar lidhet me një rrjet të përfshirë në trafikun e drogës, i cili kishte lidhje me kartelin ekuadorian “Los Lobos”. Ky rrjet përdorte kompani eksporti, kryesisht në sektorin e frutave, për të maskuar transportin e drogës brenda ngarkesave të ligjshme. Hetimet ndërkombëtare çuan në zbulimin e kontejnerëve të dyshimtë dhe në sekuestrime në disa porte të rëndësishme evropiane.
Sipas Europol, anëtarët e rrjeteve shqiptare udhëtonin rregullisht drejt Amerikës Latine për të negociuar marrëveshje të reja, ndërsa qelizat operative në Evropë merreshin me logjistikën dhe shpërndarjen e drogës në tregun e brendshëm të BE-së.
Përveç trafikut të drogës, raporti nxjerr në pah edhe përfshirjen e rrjeteve kriminale shqiptare në krime financiare, veçanërisht në mashtrimet online përmes qendrave telefonike. Në Shqipëri janë identifikuar struktura të mirëorganizuara “call center”, të cilat operonin në mënyrë profesionale dhe kishin një ndarje të qartë rolesh mes stafit.
Këto qendra promovonin platforma të rreme investimi përmes reklamave në internet dhe rrjete sociale, duke targetuar viktima në vende të ndryshme të botës. Operatorët komunikonin në gjuhën amtare të viktimave për të fituar besimin e tyre dhe për t’i bindur të investonin shuma të konsiderueshme parash.
Sipas të dhënave të raportit, dëmi financiar nga këto skema mashtrimi arrin të paktën në 50 milionë euro. Ky aktivitet kriminal u godit në vitin 2026, pas një operacioni të gjerë ndërkombëtar që zgjati rreth dy vite.
Raporti i Europol thekson se rrjetet kriminale shqiptare janë bërë një faktor i rëndësishëm në krimin e organizuar ndërkombëtar, duke operuar me struktura të sofistikuara, bashkëpunime të gjera dhe ndikim në disa kontinente njëkohësisht.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



