Ardit Gjebrea pas daljes nga SPAK: U thirra si dëshmitar, i ftova në program
Producenti dhe kantautori Ardit Gjebrea ka lënë ambientet e Prokurorisë së Posaçme pas më shumë se dy orësh e gjysmë marrjeje në pyetje, në kuadër të hetimeve për dosjen që lidhet me ish-kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Në një prononcim për gazetarët që e prisnin jashtë institucionit, Gjebrea sqaroi se ishte thirrur në cilësinë e dëshmitarit dhe jo si person nën hetim.
Ai theksoi se nuk mund të bëjë publike detaje nga dëshmia e tij, pasi çështja është nën sekret hetimor. Megjithatë, producenti zgjodhi të mos largohej pa dhënë një sqarim për mediat, duke nënvizuar se dëshironte të respektonte edhe institucionin, edhe gazetarët.
“Isha në cilësinë e dëshmitarit, për një çështje që është sekret hetimor. Nuk flas dot më shumë, sepse duhet të respektoj institucionin, por po ju respektoj edhe juve. Mund të kisha ikur, por nuk e bëj dot. Jam si person në dijeni”, deklaroi Gjebrea.
Gjatë komunikimit me gazetarët, ai u pyet edhe për atmosferën e takimit dhe raportin me personat me të cilët është përballur gjatë paraqitjes në SPAK. Gjebrea e përshkroi komunikimin si miqësor dhe bëri një batutë për ftesat që, sipas tij, janë shkëmbyer mes palëve.
“Ishin miqësorë. Edhe unë e ftova në programin tim. Meqenëse ‘E diela shqiptare’ ka një rubrikë njerëzore, pse jo. Më ftuan, i ftova. U solla pak si amator”, u shpreh ai duke qeshur.
Financimet e “Kënga Magjike”, në fokus të hetimeve
Ardit Gjebrea është thirrur në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të hetimeve për dosjen Veliaj, ku një prej çështjeve për të cilat është kërkuar informacion lidhet me financimet që kompania e tij, “Jon Music”, ka përfituar nga Bashkia e Tiranës për organizimin e festivalit “Kënga Magjike”.
Interesi i hetuesve është përqendruar te pagesat e kryera nga institucioni gjatë periudhës kur në krye të Bashkisë së Tiranës ishte Erion Veliaj, si dhe te rrethanat në të cilat kompania ka përfituar këto fonde.
Të dhënat e publikuara në platformën “Open Spending Data”, e cila pasqyron transaksionet përmes sistemit të Thesarit, tregojnë se “Jon Music” ka përfituar gjashtë pagesa nga Bashkia e Tiranës gjatë drejtimit të institucionit nga Veliaj.
Pikërisht këto transaksione financiare janë pjesë e interesit të SPAK, ndërsa Gjebrea është pyetur për të dhënë shpjegime në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e përfitimit të tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



