Arlind Qori përgënjeshtron Ramën: Rritja e pensioneve prek vetëm një pakicë
Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka kundërshtuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama mbi rritjen e pensioneve, duke theksuar se shumica e pensionistëve në Shqipëri nuk përfitojnë nga premtimet e qeverisë.
Sipas Qorit, Rama ka përmendur vetëm rritjen e pensioneve për një pakicë, kryesisht ish-punonjës të administratës publike me mbi 38 vite kontribute, pa adresuar pensionin minimal, që është ai që marrin pjesa më e madhe e të moshuarve.
“Edi Rama nuk foli për asnjë moment për pensionin minimal. Premtimet janë vetëm për pakicën,” deklaroi Qori.
Ai shtoi se rritja reale për shumicën e pensionistëve në janar 2026 do të jetë minimale, rreth 5–8%, ndërsa bonusi i fundvitit që shpërndahet aktualisht nuk do të ekzistojë më. Pensionistët do të marrin rreth 1,300 lekë shtesë në muaj, një shumë që Qori e konsideron të pamjaftueshme.
Kreu i Lëvizjes Bashkë theksoi gjithashtu se problemet strukturore të sistemit të pensioneve, korrupsioni dhe informaliteti mbi 44% në tregun e punës, si dhe emigrimi i të rinjve, dobësojnë më tej skemën dhe e bëjnë rritjen reale të pensioneve të pamundur pa reforma të thella.
“Premtimet e qeverisë nuk garantojnë rritje reale dhe të qëndrueshme për të gjithë pensionistët, por shërbejnë vetëm për t’u hedhur hi syve qytetarëve,” përfundoi Qori.
Deklarata e tij vjen në vijim të premtimeve të Ramës për pension 40 mijë lekë pas katër vitesh, që sipas Qorit, prek vetëm një kategori të vogël dhe nuk adreson nevojat e shumicës së pensionistëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



