Armë, dhunë dhe trafik emigrantësh, 3 të arrestuar në Vlorë
Policia e Vlorës ka goditur tre raste të ndryshme kriminale brenda 24 orëve të fundit, duke vënë në pranga tre persona të përfshirë në armëmbajtje pa leje, vjedhje me dhunë dhe trafikim të emigrantëve të paligjshëm drejt Greqisë.
Gjatë operacioneve të zhvilluara, uniformat blu sekuestruan një armë zjarri pistoletë me krehër dhe fishekë, një armë të ftohtë (thikë), si dhe një automjet që përdorej për transportimin e personave që synonin kalimin ilegal të kufirit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Pasagjeri”, të zhvilluar nga Stacioni i Policisë Dhërmi në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, u arrestua në flagrancë një 26-vjeçar, banues në Babrru. Ai u ndalua gjatë kontrollit të një taksie me të cilën udhëtonte, ndërsa gjatë kontrollit fizik iu gjet një pistoletë me krehër dhe fishekë, të cilën e posedonte pa leje.
Një tjetër rast u zbardh në kuadër të operacionit “Thirrja”, ku shërbimet e Komisariatit të Policisë Delvinë, në bashkëpunim me Komisariatin e Sarandës dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, arrestuan një 31-vjeçar nga fshati Vanë. Ai dyshohet se ushtroi dhunë ndaj një punonjësi të OSHEE-së për t’i marrë automjetin e kompanisë. Automjeti u gjet dhe iu rikthye subjektit, ndërsa gjatë kontrollit fizik ndaj të arrestuarit u sekuestrua edhe një thikë.
Ndërkohë, në operacionin e koduar “Barriera”, shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë arrestuan pranë Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë një 30-vjeçar, banues në Belsh. Sipas hetimeve paraprake, ai transportonte me një automjet tip “Volkswagen” pesë persona — katër shtetas shqiptarë dhe një nga Kosova — të cilët synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt Greqisë, për shkak të kufizimeve që lidhen me lëvizjen në hapësirën Schengen.
“Policia e Vlorës ka finalizuar tre operacione të ndryshme brenda 24 orëve, duke goditur raste të armëmbajtjes pa leje, vjedhjes me dhunë dhe transportimit të personave që synonin të kalonin ilegalisht drejt Greqisë.
Si rezultat i aksioneve janë arrestuar tre shtetas, ndërsa janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë me krehër dhe fishekë, një thikë, si dhe automjeti i përdorur për transportimin e emigrantëve.
Në operacionin e koduar “Pasagjeri”, të zhvilluar nga Stacioni i Policisë Dhërmi në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, u arrestua në flagrancë 26 vjeç, banues në Babrru. Gjatë kontrollit fizik, pas ndalimit të taksisë me të cilën udhëtonte, policia i gjeti një pistoletë me krehër dhe fishekë, të cilën e posedonte pa leje.
Ndërkohë, në operacionin “Thirrja”, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Delvinë në bashkëpunim me Komisariatin e Sarandës dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, u arrestua 31 vjeç, banues në fshatin Vanë. Ai dyshohet se dhunoi një punonjës të OShEE-së për t’i marrë automjetin e kompanisë. Mjeti u gjet dhe iu rikthye subjektit, ndërsa gjatë kontrollit fizik të të arrestuarit iu sekuestrua edhe një thikë.
Në një tjetër operacion, të koduar “Barriera”, shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë arrestuan pranë Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë shtetasin M. Q., 30 vjeç, banues në Belsh. Sipas policisë, ai transportonte me një automjet tip “Volkswagen” pesë shtetas, katër nga Shqipëria dhe një nga Kosova, të cilët synonin të kalonin ilegalisht në Greqi për shkak të pengesave për lëvizje në zonën Schengen.
Materialet procedurale i janë referuar prokurorive përkatëse për vijimin e hetimeve dhe veprimet e mëtejshme”, njofton policia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



