E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arratia e Shakajt, nga ndryshimi i pamjes te përdorimi i letrave false
Lajme

Arratia e Shakajt, nga ndryshimi i pamjes te përdorimi i letrave false

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për vrasjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, një ngjarje që vijon të mbetet në qendër të vëmendjes, ndërsa autori i dyshuar, Armand Shakaj, është ende në arrati.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, menjëherë pas kryerjes së krimit, Shakaj dyshohet se është larguar drejt qarkut të Elbasanit, ku ka qëndruar i fshehur për rreth 10 ditë. Gjatë kësaj periudhe, ai mendohet të ketë ndryshuar pamjen e jashtme për të shmangur identifikimin nga autoritetet.

Hetimet tregojnë se 41-vjeçari ka lëvizur në zona të ndryshme të këtij qarku, duke qëndruar herë në hotele e herë në apartamente të marra me qira ditore. Në rastet kur i është kërkuar dokument identifikimi, dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara për të mos rënë në gjurmët e policisë.

Po sipas hetuesve, Shakaj ka shmangur përdorimin e automjeteve personale, duke preferuar të lëvizë vetëm me taksi. Ai dyshohet se ka qëndruar edhe në zonat e Peqinit dhe Cërrikut, duke ndjekur të njëjtën skemë për të mos lënë gjurmë.

Verifikimet e kryera pas krimit kanë konfirmuar një pjesë të këtyre lëvizjeve. Në një moment, policia arriti të lokalizonte sinjalin e telefonit të tij në qarkun e Elbasanit dhe organizoi një operacion për arrestimin, por Shakaj u largua pak para ndërhyrjes së efektivëve, duke humbur sërish gjurmët.

Aktualisht, ai vijon të jetë në kërkim, ndërsa dyshohet se po ndihmohet nga persona të afërt, me të cilët vazhdon të mbajë kontakte.

Sipas dosjes hetimore, më 4 qershor, Armand Shakaj dyshohet se vrau mikun e tij, Eglant Koçi. Pas krimit, ai transportoi trupin e pajetë drejt zonës së Majës së Korrës, në një lartësi prej rreth 1.450 metrash, pranë fshatit Cerrujë, ku e braktisi. Trupi i viktimës u zbulua nga policia rreth dy javë më vonë.

Hetimet kanë rindërtuar edhe momentet e fundit të viktimës. Koçi është parë për herë të fundit pranë sheshit “Wilson” në Tiranë, duke lëvizur me motor. Një tjetër pamje e siguruar nga grupi hetimor e tregon atë në një servis automjetesh rreth orës 10:13 të datës 4 qershor, pak para se dyshohet të jetë rrëmbyer. Një ditë më pas, familjarët denoncuan zhdukjen e tij.

Motori i 34-vjeçarit u gjet më pas pranë zonës së “5 Majit” nga specialistët e Krimeve të Rënda. Po ashtu, policia ka identifikuar ambientin ku dyshohet se Koçi është mbajtur pas rrëmbimit. Nga ky vend është filmuar duke dalë Armand Shakaj me një automjet, me të cilin mendohet se ka transportuar viktimën.

Gjatë kontrollit të këtij automjeti, ekspertët kanë konstatuar njolla gjaku, të cilat janë sekuestruar dhe dërguar për analiza laboratorike.

Në kuadër të hetimeve është arrestuar edhe Enea Zyferi, i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit. Ai rezulton të ketë qenë i punësuar në lokalin në pronësi të Shakajt.

Megjithëse zyrtarisht Eglant Koçi ishte i punësuar në një mobilieri, hetuesit dyshojnë se ai mund të ketë qenë i përfshirë edhe në aktivitetin e kriptomonedhave, pistë që konsiderohet si një nga drejtimet kryesore të hetimit.

Ndërkohë, përpjekjet për kapjen e Shakajt vijojnë. Sipas burimeve, ai ka ndërruar të paktën gjashtë numra telefoni në përpjekje për t’iu shmangur gjurmimit nga policia. Numrat rezultojnë të regjistruar në emrin e tij dhe të familjarëve, ndërsa sinjalet telefonike tregojnë përdorim në zona të ndryshme të Tiranës.

Grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe vëllain e tij, si person që mund të ketë dijeni për vendndodhjen e Shakajt, por deri më tani nuk është siguruar informacion i vlefshëm për lokalizimin e tij.

Nga ana tjetër, analiza e kompjuterëve të sekuestruar në ambientet e lidhura me Shakajn ka nxjerrë të dhëna mbi llogari të kriptomonedhave, duke forcuar dyshimet se motivi i vrasjes mund të lidhet me një konflikt financiar në këtë fushë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.