Braçe kujton Ibrahim Bashën, efektivin e vrarë në Lazarat dhe i thotë se ‘gjaku i tij nuk bëhet dot pasuri’ duke i dhënë kështu një mesazh të drejtpërdrejtë Çilit.
“Shërbyes i shtetit dhe i ligjit. Nuk do të harroj kurrë ty. Nuk do të shesë kurrë ty.Ti do jesh përherë Dëshmor i Atdheut. Gjaku yt nuk do bëhet kurrë para e pasuri”.
Kujtojmë se në orët e para të mëngjesit të sotëm policia ka vënë në pranga themeluesin e UET Henri Çilin bashkë me avokatin e tij dhe 12 persona të tjerë, nën akuzat e korrupsionit në organet e drejtësisë.
Emri i themeluesit të UET del në përgjime për ndërhyrje te një gjyqtar, për lirimin nga burgu të dy të burgosurve të arrestuar në Lazarat.
Bëhet fjalë për dy vëllezërit Aliko, të cilët janë dënuar me burg për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha, ndodhur në Lazarat gjatë aksionit të policisë në vitin 2015, kundër kultivimit të drogës.
Ndaj botuesit Henri Çili, Prokuroria ka ngritur akuzat e falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit, si edhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm te organet e drejtësisë.
Gjatë hetimeve rezulton se Henri Çili ka komunikuar me babain e Arbion dhe Adil Aliko, ku i premtonte se do të negocionte me një gjyqtar për lirimin e tyre, dhe në këmbim dyshohet se i ka marrë shuma të konsiderueshme parash dhe disa prona në Gjirokastër.




