Arrestohet 32-vjeçari në Tiranë, i gjendet pistoletë dhe mijëra euro
Një 32-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri pa leje dhe një shumë të konsiderueshme parash. Operacioni, i koduar “Last Gun”, u zhvillua nga efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 1 në kryeqytet.
Sipas policisë, ndërhyrja erdhi pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se një person lëvizte i armatosur në zonë. Shërbimet e Komisariatit Nr. 1 ndaluan në rrugën “Çollakët” një automjet tip “Citroen DS3”, që drejtohej nga shtetasi me inicialet R. V., 32 vjeç.
Gjatë kontrollit të automjetit, uniformat blu gjetën një pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan si prova materiale në kuadër të hetimit.
Përveç armës dhe municionit, policia sekuestroi edhe automjetin me të cilin udhëtonte 32-vjeçari, dy telefona celularë dhe shumën prej 15 800 eurosh.
Pas arrestimit, ndaj të riut është ngritur akuza për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet e përpiluara gjatë operacionit i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të vijojë procedurat hetimore dhe ligjore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



