Arrestohet në Borsh i shumëkërkuari Moisi Habilaj
Një aksion i mirëorganizuar i forcave të rendit, i zhvilluar gjatë mbrëmjes së sotme, ka përfunduar me arrestimin e një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, Moisi Habilaj.
Sipas burimeve zyrtare, ai është lokalizuar në zonën e Borshit, në qarkun e Vlorës, ku edhe është bërë i mundur ndalimi i tij pa incidente. Habilaj ishte në kërkim prej kohësh, pasi ndaj tij rëndonte një vendim i formës së prerë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila e kishte dënuar me 10 vite burgim.
Akuzat që rëndojnë mbi të lidhen me përfshirjen në trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, aktivitete të cilat sipas hetimeve kanë pasur shtrirje të gjerë brenda dhe jashtë vendit.
Ndërkohë, ai nuk është i panjohur për drejtësinë ndërkombëtare. Më herët, autoritetet italiane e kanë dënuar me 15 vite burg për trafik ndërkombëtar droge, duke e konsideruar si pjesë të një rrjeti të mirëorganizuar kriminal që operonte mes Shqipërisë dhe Italisë.
Arrestimi i tij shihet si një zhvillim i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa pritet që ai të përballet me institucionet e drejtësisë për vijimin e procedurave ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



