Gazetari investigativ Artan Hoxha ka bërë një deklaratë të fortë gjatë një daljeje në emisionin “Versus”, duke ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj mënyrës se si funksionon media sportive në vend dhe ndikimit të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Hoxha u shpreh se shpesh reporterët e huaj habiten nga prania e vajzave të bukura në aktivitetet mediatike në Shqipëri, por sipas tij, ato nuk janë gazetare të mirëfillta.
“Kur vijnë reporterët e huaj në Shqipëri habiten sa gazetare të bukura kemi, por ata nuk e dinë që s’janë gazetare. Pyesin më pas se çfarë ishin ato”, deklaroi ai.
Ai shtoi se gazetarët profesionistë shpesh lihen në plan të dytë, ndërsa persona të tjerë favorizohen në evente, madje edhe në shpërndarjen e biletave.
“Gazetarët i vendosin në ndonjë cep, zakonisht nuk kanë bileta. Kur bëj aplikim, nuk marr bilete, duhet ta marrim në emër të dikujt tjetër”, tha Hoxha.
Gazetari denoncoi gjithashtu presionin dhe sulmet mediatike, duke përmendur një rast konkret, ku sipas tij, një portal i lidhur me një anëtare të Komitetit Ekzekutiv e kishte sulmuar pa dalë ende në emision.
Në fund, ai hodhi akuza të forta ndaj Federata Shqiptare e Futbollit, duke pretenduar se ka ndikim të gjerë mbi mediat sportive në vend.
“FSHF i ka të gjitha mediat, madje duhet të paguajë ndonjërën që të bëjë sikur e sulmon”, u shpreh Hoxha.
Deklaratat e tij pritet të ngjallin reagime në ambientin mediatik dhe sportiv, ndërsa hedhin dritë mbi raportet e tensionuara mes gazetarëve dhe institucioneve të futbollit në Shqipëri.







