Artan Hoxha: Para zgjedhjeve u këmbyen 12 mld euro para droge
Nga ‘Rothschild’ te resortet në bregdet, gazetari ndezin debat të fortë me deklaratat
Gazetari Artan Hoxha ka bërë deklarata të forta lidhur me ekonominë informale dhe qarkullimin e parasë në Shqipëri, duke ngritur shqetësime mbi ndikimin e saj në kursin e këmbimit dhe zhvillimet ekonomike në vend.
I ftuar në emisionin “Çim Peka LIVE”, Hoxha u ndal te një sërë çështjesh që lidhen me zhvillimet e viteve të fundit, duke theksuar se shumë prej deklaratave të bëra më herët nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, sipas tij, janë vërtetuar me kalimin e kohës.
“Ato që thoshte Arben Ahmetaj, madje më cilësonin të çmendur, dhe u deshën vite që të provohen që ato ishin të vërteta. Unë i merrja të besueshme, pse? Sepse e dija që Ahmetaj ka qenë atje në tavolinë. Dhe e dimë, edhe kur thoshte për shishen e verës. Po, se pi një verë atë. Po të ishte një njeri tjetër që pi raki, s’do e besoja. Po Arben Ahmetaj i njeh verat, cilësinë e tyre dhe çmimin e tyre”, deklaroi Hoxha.
Gazetari u ndal gjithashtu edhe te episodi i diskutuar publikisht për verën “Rothschild”, duke pretenduar se reagimet pas publikimit të këtij rasti treguan një ndikim më të madh sesa u pranua publikisht.
“Ju e patë çfarë ndodhi këtu. Më shumë u shqetësuan për të hequr etiketat e verave atje, se do provonte ajo që thoshte Ahmetaj, që është pirë shishe vere ‘Rothschild’ me 33 mijë euro shishja. Pra gjithë natën ata hoqën etiketat atje, morën verat e shtrenjta, i lanë ato të tjerat pastaj që pi gjithë dynjaja. Por kur një zyrtar i shtetit pi një verë 33 mijë euro, a e kupton çfarë impakti ka në mediat ndërkombëtare dhe tek politikanët evropianë? Këto janë detaje që ngjisin dhe mbeten”, u shpreh ai.
Në vijim të analizës së tij, Hoxha foli edhe për investimet në bregdet dhe projektet turistike, duke i lidhur ato me zhvillime të mëparshme jashtë vendit.
“Pastaj kur vinte pjesa çfarë është në Aruba në 2019-ën, pastaj në Monako në 2021-shin, pastaj në Majorka dhe me radhë. Dhe ti i gjen sot në resorte të ngritura në bregdetin shqiptar, atëherë s’ke nevojë më për provë. Prova është ai resort që duket nga hëna. Kaq e thjeshtë është. Çfarë prove kërkon më? A është ngritur ky resorti mbrapa? A është ndërtuar? Po, ka mbaruar filmi. Pra kjo është zbatuar. Si është ndërtuar resorti? Mbi leje që i ka miratuar qeveria shqiptare”, deklaroi gazetari.
Një nga deklaratat më të forta lidhej me kursin e këmbimit dhe rolin e parasë informale në tregun shqiptar. Sipas Hoxhës, vetëm gjatë vitit 2023 janë këmbyer shuma shumë të mëdha parash jashtë sistemit bankar.
“Dhe fakti që ata arritën në Shqipëri të ishin kaq determinues, kaq të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, saqë ne nuk shpjegojmë dot. Kur është bërë takimi në Aruba, sa ka qenë euro në Shqipëri? Pra 1 euro shkëmbehej me 132 lekë. Sa është euro sot? Është 94. Pra edhe ne nuk shpjegonim dot si shkoi euro në gropë. Që nga aty ka filluar një dishezë e madhe. Dhe unë po them vetëm në vitin 2023, vetëm në vitin e zgjedhjeve për bashkitë në Shqipëri, jashtë sistemit bankar, në pikat e këmbimit valutor në Shqipëri, janë këmbyer 12 miliardë euro. E kupton? Sado që mundohet Banka Qendrore të blejë në treg e të ndërhyjë në treg, pse euro është atje ku është. Dymbëdhjetë miliardë euro në të gjithë pikat e këmbimit valutor që ka Shqipëria”, deklaroi Artan Hoxha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



