Artan Hoxha: ‘The Albanian Files’, ‘çelësi’ që mund të çmontojë sistemin
Gazetari Artan Hoxha deklaroi se Prokuroria e Posaçme (SPAK) disponon tashmë një material që, sipas tij, mund të shërbejë menjëherë për nisjen e procedimeve hetimore. Duke komentuar librin “Dosjet Shqiptare”, ai u shpreh se botimi përmban të dhëna të detajuara mbi kompani ndërkombëtare arkitekture, projekte ndërtimi dhe mënyrën e financimit të tyre në Shqipëri.
Sipas Hoxhës, nëse SPAK do të funksiononte në përputhje me objektivat për të cilat u krijua, edhe natyra e kërkesave të protestuesve do të ishte ndryshe.
“Nëse SPAK-u do të ishte në linjën për të cilën u premtua dhe u krijua, sigurisht që unë besoj se protestë do kishte, por kërkesat e protestuesve do të ishin shumë herë më të ndryshme nga ato që janë sot. Pra po t’i shikosh, kërkesat e protestuesve duket sikur janë aktakuza, të gjitha ato që do t’i kishte bërë prokuroria e posaçme”, tha Hoxha.
Duke iu referuar librit “Dosjet Shqiptare”, gazetari theksoi se materiali i publikuar përmban informacione që, sipas tij, nuk kërkojnë hetime të ndërlikuara për t’u verifikuar.
“Për shembull dje unë i pashë protestuesit, mos gaboja dje çuan në SPAK librin ‘Dosjet e Shqiptarëve’. Unë mendoj që SPAK s’ka nevojë t’ia çojë njeri atë, që në momentin që është publikuar ai material, një prokuror ose një oficer i BKH-së, regjistron procedimin nga një burim i hapur, merr atë librin dhe po ka akuzë më të detajuar aty dhe më të bukur se ajo ata e kanë bërë nga zelli për t’i shërbyer Ramës, por kanë përmbledhur në 750 faqe gjithë thelbin e sistemit që ka sot, ose që mban sot në këmbë Ramën”, u shpreh ai.
Hoxha shtoi se libri përfshin të dhëna të detajuara për 60 studio të mëdha arkitekture europiane dhe qindra projekte të realizuara në Shqipëri.
“Pra në ato 750 faqe ti ke 60 kompanitë kryesore të arkitekturës në Europë, të cilat kanë plotësuar vetë formularin, në dëshirën e tyre pa ua kërkuar askush, me detajet më të hollësishme. Dhe i thonë SPAK-ut, kemi 523 projekte që i kemi bërë, nuk kemi bërë garë se s’na ka kërkuar njeri garë, pra na ka marrë kryeministri vetë dhe na ka thënë: ‘Hajdeni këtu tek ne, sepse jeni të mirëpritur dhe do paguheni mirë’.”
Më tej, ai u ndal te statusi i projekteve, duke theksuar se një pjesë e tyre janë të realizuara, të tjera në ndërtim apo në proces miratimi, çka sipas tij e bën verifikimin të lehtë për organet hetimore.
“Tjetra, nga të gjitha ato projekte, natyrisht shumë interesante ajo pjesë, 57 janë ndërtuar, SPAK-u e ka fare kollaj të shkojë atje, të gjejë kush i ka ndërtuar, kush është financuesi, iku kjo. 53 të tjera po ndërtohen, i ke gati aty s’fshihen, nuk futen brenda, janë në festë të popullit. Dhe ke 47 që janë në proces leje.”
Sipas Hoxhës, libri ngre gjithashtu pikëpyetje mbi burimin e financimit për një pjesë të këtyre projekteve.
“Dhe tjetra, 7 studio mes tyre, ato më të mëdhatë, nuk kanë deklaruar 41% të financuesve. Kush i financon aty? Kush i ka financuar këto projekte? Pra kush ka kaq lekë në Shqipëri, të financojë grataçelat e këtij niveli?”
Në vijim, gazetari argumentoi se ky material mund të ndihmojë në zbardhjen e mënyrës së funksionimit të sistemit ekonomik dhe politik që lidhet me këto investime.
“Dhe kjo është gjë që SPAK-u vetëm me këtë çështje, për mua, nuk çmonton vetëm Ramën, por çmonton të gjithë sistemin dhe s’ka nevojë të kërkojë letërporosi.”
Hoxha pretendoi gjithashtu se përmes kontraktimit të studiove të huaja të arkitekturës është ndërtuar ndikim politik jashtë vendit.
“Dhe nëpërmjet këtyre pagesave Rama ka blerë influencën në vendet e Bashkimit Europian, prandaj i ka marrë këto studio. Ai ka gjetur një mënyrë për të blerë influencën. Dhe këto para, janë paratë e qytetarëve shqiptarë.”
Në përfundim, ai e krahasoi librin “Dosjet Shqiptare” me materialet e dekriptuara të platformave Sky ECC dhe EncroChat, duke e cilësuar si një burim me vlerë për hetimet mbi korrupsionin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



