Artan Hoxha: Vis Martinaj mori dy vila pranë Ramës kur ndjeu rrezikun
Gazetari investigativ Artan Hoxha foli mbrëmjen e djeshme rreth zhdukjes së Ervis Martinajt dhe kërkesës së babait të tij për ta shpallur zyrtarisht të zhdukur.
Hoxha tha se Martinaj nuk vinte nga bota e krimit, por u bë armik publik pasi, sipas gazetarit, iu kundërvu qeverisë. Ai zbuloi detaje të forta teksa tha se: “Kur Martinaj kuptoi se rreziku po i afrohej, ai bleu dy vila pranë shtëpisë së kryeministrit Edi Rama”, një lëvizje që sipas Hoxhës tregon për frikën dhe presionin ekstrem ndaj tij.
Gazetari ishte i prerë duke u shprehur se: “Martinaj është eleminuar, kufoma e tij është zhdukur. Vdekja e tij është e sigurt, problemi i vetëm i autoriteteve është mungesa e trupit”, deklaroi Hoxha në “Opinion”, duke shtuar një dimension të ri misteri dhe tronditjeje mbi fatin e njërës nga figurat më të diskutueshme të botës së krimit në Shqipëri.
Ky zbulim i Artan Hoxhës vjen në një moment kur publiku shqiptar po kërkon përgjigje për një nga zhdukjet më të bujshme të viteve të fundit, dhe lë vend për spekulime dramatike mbi fatin e Ervis Martinajt.
“Mesa kujtoj në 1 shtator të 2022, ishte emisoni i parë i bërë pas zhdukjes së Vis Martinajt. Kisha qenë në shtëpinë e Martinajt. Familja po bënte hetimet e veta. Mustafa Martini i ka patur bizneset dhe paratë para se i biri të futej në biznes. Problemi që ka ai është se për 3 vjet e gjysëm nuk kanë pasur asnjë kontakt me të birin. Mesazhi i fundit ka qenë në gusht të 2022 për një kafshë luan. Dhe versioni i vetëm ishte që ai ishte rëmbyer dhe ishte vrarë.
Ai ishte një njeri që evoloi botën e krimit. Vis Martinaj ka tre vajza dhe nje djalë dhe vetë është djalë i vetëm, ka tre motra. Ai nuk vinte nga bota e krimit por u bë armik publik se u bë kundërshtar i qeverisë, i mazhorancës. Edi Rama nuk është marrë asnjëherë me emër të botës krimit, vetëm me Vis Martinaj. Kur Martinaj ndjeu rrezikun që mund të zhdukej mori dy vila pranë kryeministrit Rama, që të ishte më i mbrojtur. Në një vilë ka mbajtur familjen.
Ervis Martinaj është eleminuar dhe kufoma e tij është zhdukur. Sot mund t’i fshihesh shtetit por jo hasmit, armikut. Janë elementët që të bindin se ai është zhdukur. Problemi që kanë sot autoritetet është mungesa e kufomës, se për shembull, Jan Prengën e kanë kufomën. Informacioni më i qëndrueshëm është se kufoma është në tokë. Me Martinajn u ndoq teoria e prerjes së krahëve. I ngeli vetëm oficeri. Martinaj mori aq shumë vëmendje për atë që përfaqësonte. Ishte personazh i fuqishëm i lojërave të fatit”, deklaroi Artan Hoxha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



