Artan Hoxha zbulon prapaskenat e frikshme të atentatit në Rinas
“Toga që vrau Gilmando Danin, e përfshirë në 7 ngjarje të ngjashme”
Atentati i fundit në dalje të Rinasit nuk ishte një rast i izoluar. Sipas gazetarit investigativ Artan Hoxha, mënyra se si u planifikua dhe u ekzekutua sulmi është thuajse identike me të paktën shtatë ngjarje të tjera kriminale, duke ngritur dyshime të forta për ekzistencën e një grupi që vepron me një “firmë” të qartë kriminale dhe me informacion të brendshëm.
Hoxha u shpreh se çelësi i suksesit të autorëve është informacioni tepër i saktë për objektivat që godasin:
“Janë të paktën shtatë ngjarje që janë njësoj. Në të shtatat ata e kanë realizuar objektivin, e kanë goditur shënjestrën e tyre. Janë shumë të kujdesshëm, rikthehen edhe njëherë për t’u siguruar. Kjo tregon se kush janë.”
Bilanci i atentatit është rënduar, pasi nga një viktimë fillimisht, tashmë janë dy personat e vdekur, ndërsa hetimet kanë marrë drejtim të dyfishtë:
“Kemi një hetim se si mundi një person, i ndjeri Sheqeri, të futej brenda radhëve të policisë dhe kemi një hetim tjetër që lidhet direkt me atentatin. Unë mendoj se këtë dosje duhet ta marrë SPAK-u.”
Gazetari tha në Euronews se pas ngjarjes, u zhvilluan kontrolle në Nikël, por ai dyshon se pas këtyre operacioneve ka më shumë presion publik se sa rezultate konkrete:
“Sa herë ka ndonjë ngjarje në Rinas, i bien Niklës. Por mbrapa nuk del. Policia dhe prokuroria ndjejnë presionin. Shikohet që doli një lajm: ‘gjetëm një të lidhur me ngjarjen’, dhe kjo ngelet në memorien e publikut.”
Sipas Hoxhës, atentati përbën rrezik serioz për sigurinë, sepse tregon se autorët kanë akses në informacion që nuk duhet ta kenë dhe lëvizjet e tyre janë të menduara në detaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



