E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Artistët dalin kundër projektligjit për trajtimin financiar
Lajme

Artistët dalin kundër projektligjit për trajtimin financiar

SPAKMSH do të zhvillojë të hënën një konferencë pranë TKOBAP, ku do të prezantohet peticioni i firmosur nga artistë dhe profesionistë të TKOBAP dhe Cirkut Kombëtar. Sindikata kërkon që çdo trajtim financiar të hartohet dhe miratohet bashkë me Statusin e Artistit.

Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias të Shqipërisë (SPAKMSH) ka njoftuar zhvillimin e një konference për shtyp lidhur me kundërshtimin e projektligjit “Për trajtimin financiar të artistëve performues pas ndërprerjes së veprimtarisë artistike skenike”.

Konferenca është parashikuar të zhvillohet të hënën, më 21 shtator 2026, në orën 09:30, pranë Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP).

Sipas njoftimit të sindikatës, gjatë konferencës do të bëhet publik edhe një peticion i nënshkruar nga artistë dhe profesionistë të TKOBAP dhe Cirkut Kombëtar, ndërsa do të prezantohet edhe qëndrimi zyrtar i SPAKMSH-së ndaj projektligjit.

Në qendër të qëndrimit të sindikatës është kërkesa që trajtimi financiar i artistëve të mos miratohet i shkëputur nga Statusi i Artistit.

“Nuk pranojmë asnjë trajtim financiar pa u hartuar dhe miratuar më parë Statusi i Artistit”, thuhet në deklaratën e bërë publike nga SPAKMSH.

Projektligji është aktualisht pjesë e procesit të konsultimit publik. Sipas Regjistrit Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike, drafti është publikuar më 2 shtator 2026 nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe konsultimi është i hapur deri më 30 shtator.

Edhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka njoftuar një takim konsultativ për projektligjin, të planifikuar për 25 shtator në ambientet e TKOBAP, ku synohet prezantimi i projektligjit, diskutimi i dispozitave të tij dhe marrja e komenteve nga grupet e interesit.

Ndërkohë, përfaqësues të sindikatës kanë ngritur më herët shqetësime lidhur me mënyrën e hartimit të draftit dhe kanë kërkuar përfshirjen e artistëve në procesin e konsultimit. Presidenti i SPAKMSH-së, Julian Kazazi, ka deklaruar publikisht se çështja e Statusit të Artistit mbetet një kërkesë e hershme e komunitetit artistik.

Konferenca e 21 shtatorit pritet të shërbejë për paraqitjen publikisht të kërkesave të artistëve dhe qëndrimit të sindikatës për projektligjin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.