E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
As gazetarët e Reuters nuk u shpëtojnë plumbave të gomës së policisë
Lajme

As gazetarët e Reuters nuk u shpëtojnë plumbave të gomës së policisë

Alarm për lirinë e medias

AGSH: Gazetarët në shënjestër gjatë protestave, 37 incidente në 7 ditë

Dy gazetarë të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters janë goditur me fishekë gome gjatë mbulimit të përplasjeve në Tiranë, ndërsa një fotoreporter zviceran raporton se persona me veshje civile i kërkuan të fshinte pamjet që kishte filmuar në Durrës. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) e cilëson shqetësues përshkallëzimin e incidenteve ndaj punonjësve të medias dhe kërkon hetimin e rasteve.

Sipas reagimit të AGSH-së, dy reporterët e Reuters u goditën më 17 tetor 2026, teksa po raportonin nga përleshjet gjatë protestave në kryeqytet. Organizata thekson se përdorimi i fishekëve të gomës përbën rrezik serioz për sigurinë fizike dhe jetën e gazetarëve që ndjekin nga afër zhvillimet në terren.

Fotoreporteri zviceran: Më kërkuan të fshija pamjet

Një tjetër incident është raportuar në Durrës nga fotoreporteri i pavarur zviceran Raimond Lueppken. Sipas dëshmisë së tij, më 17 tetor, ndërsa po filmonte disa burra të veshur me të zeza, dy persona të tjerë me veshje civile iu afruan dhe i kërkuan të fshinte regjistrimet.

Lueppken nuk pranoi ta zbatonte kërkesën. AGSH, duke iu referuar informacioneve të organizatës ndërkombëtare Reporterët pa Kufij (RSF), bën me dije se personat që fotoreporteri po filmonte mbanin jelekë me shenja identifikuese të policisë.

Fotoreporteri ka shprehur dyshimin se dy personat që i kërkuan fshirjen e pamjeve mund të kishin lidhje me grupin që po filmonte. Megjithatë, sipas AGSH-së, identiteti i tyre dhe përkatësia e mundshme në strukturat policore nuk janë konfirmuar.

AGSH kërkon hetim nga Policia, AMP dhe Prokuroria

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon dhunën, kërcënimet dhe presionin ndaj gazetarëve, duke nënvizuar se ata duhet të jenë të lirë të dokumentojnë ngjarjet me interes publik, përfshirë veprimet e autoriteteve gjatë protestave.

Organizata u kërkon Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë të verifikojnë menjëherë incidentet, të sqarojnë rrethanat e goditjes së dy gazetarëve të Reuters dhe të identifikojnë personat që i kërkuan fotoreporterit zviceran të fshinte pamjet.

Sipas bilancit paraprak të AGSH-së, gjatë periudhës 13–19 tetor 2026 janë evidentuar të paktën 37 incidente ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias. Në këtë shifër përfshihen edhe rastet e fundit të raportuara nga Reuters dhe Raimond Lueppken.

AGSH rikujton se garantimi i sigurisë së gazetarëve është detyrim i autoriteteve shtetërore, pavarësisht tensioneve dhe zhvillimeve gjatë protestave.

Reagimi: 

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë AGSH

PËRDITËSIM

AGSH shpreh shqetësim për incidentet ndaj gazetarëve të Reuters dhe fotoreporterit zviceran gjatë protestave në Shqipëri

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin e thellë për raportimet e reja mbi dhunën dhe intimidimin e gazetarëve ndërkombëtarë gjatë mbulimit të protestave në Shqipëri, më 17 tetor 2026.

Sipas raportimeve të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, dy gazetarë të saj janë goditur nga fishekë gome gjatë mbulimit të përleshjeve në Tiranë, më 17 tetor. AGSH e konsideron këtë një incident veçanërisht shqetësues, duke pasur parasysh rrezikun serioz që paraqesin fishekët e gomës për integritetin fizik dhe jetën e gazetarëve që raportojnë nga protestat.

Në një tjetër incident, fotoreporteri i pavarur zviceran Raimond Lueppken ka raportuar se, po më 17 tetor, ndërsa po filmonte disa burra të veshur me të zeza në qytetin e Durrësit, dy persona të tjerë me veshje civile iu afruan dhe i kërkuan të fshinte pamjet filmike. Fotoreporteri refuzoi ta përmbushte këtë kërkesë.

Sipas informacioneve të organizatës ndërkombëtare Reporterët pa Kufij (RSF), personat që Lueppken po filmonte mbanin jelekë me shenja identifikuese të policisë. Fotoreporteri ka shprehur dyshimin se dy personat që i kërkuan fshirjen e regjistrimit mund të kishin lidhje me këtë grup. Megjithatë, identiteti i tyre dhe përkatësia e mundshme në strukturat policore nuk janë konfirmuar.

AGSH dënon çdo formë dhune, kërcënimi apo presioni ndaj gazetarëve, përfshirë përpjekjet për t’i detyruar të fshijnë materialet e dokumentuara gjatë ushtrimit të detyrës. Gazetarët vendas dhe ndërkombëtarë duhet të jenë të lirë të dokumentojnë zhvillimet me interes publik, përfshirë veprimet e autoriteteve gjatë protestave, pa u përballur me dhunë apo intimidim.

AGSH i kërkon Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë të verifikojnë menjëherë këto incidente, të sqarojnë rrethanat e goditjes së dy gazetarëve të Reuters dhe të identifikojnë personat që i kërkuan fotoreporterit zviceran fshirjen e pamjeve filmike, duke përcaktuar nëse ata kishin lidhje me strukturat e Policisë së Shtetit.

Me këto raportime të reja, bilanci paraprak i AGSH-së për periudhën 13–19 tetor 2026 arrin në të paktën 37 incidente ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, duke përfshirë dy gazetarët e Reuters dhe incidentin ndaj fotoreporterit Raimond Lueppken.

AGSH rithekson se siguria e gazetarëve është një detyrim i autoriteteve shtetërore dhe jo një çështje që mund të lihet në varësi të rrethanave të protestave.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.