Mediat botërore jehonë dënimit të ish-krerëve të UÇK-së
Aktgjykimi i shpallur në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është raportuar gjerësisht nga mediat kryesore ndërkombëtare.
Në qendër të raportimeve është vendimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është dënuar me 25 vite burgim. Mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar njëkohësisht edhe dënimet e dhëna ndaj ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“The Guardian” e ka vendosur zhvillimin në vëmendje të raportimeve të saj për Europën, duke e fokusuar titullin te dënimi 25-vjeçar i Thaçit nga gjykata me seli në Hagë.
Edhe agjencia ndërkombëtare “Reuters” ka raportuar për aktgjykimin, duke vënë në dukje se Thaçi është shpallur fajtor për një sërë veprash penale të përfshira në proces, mes tyre vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm.
Vendimi është pasqyruar gjithashtu nga “Euronews”, i cili e ka lidhur zhvillimin me akuzat për krime lufte të kryera gjatë konfliktit në Kosovë në vitet 1998-1999.
Në të njëjtën linjë, “Deutsche Welle” ka raportuar për dënimin e ish-presidentit të Kosovës, duke e vendosur në fokus aktgjykimin e dhënë nga Dhomat e Specializuara.
“Al Jazeera” ka raportuar gjithashtu për vendimin, me theks të veçantë te dënimi me 25 vite burgim i Hashim Thaçit për krime lufte.
Aktgjykimit i ka kushtuar vëmendje edhe “Sky News”, i cili ka raportuar për dënimin e ish-presidentit të Kosovës me 25 vite burgim.
Përveç Thaçit, aktgjykimi i shkallës së parë përfshin edhe Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Sipas vendimit të shpallur në Hagë, Thaçi dhe Krasniqi janë dënuar me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite burgim.
Në total, dënimet e dhëna ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së arrijnë në 81 vite burgim.
Aktgjykimi nuk është përfundimtar. Palët kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco









