Makina e autorëve me qira në Rinas, u mbulua me bar për të humbur gjurmët
Zbardhen detaje të reja nga ekzekutimi i bashkëshortëve Kreshnik Mujeci dhe Gentjana Mujeci, ngjarje e ndodhur më 26 prill në Balldren.
Sipas Policisë, në fshatin Torovicë është gjetur një automjet pa targa, i dyshuar si mjeti i përdorur në atentat. Brenda tij janë sekuestruar dy gëzhoja model 56, ndërsa mjeti kishte dëmtime në pjesët anësore dhe xhamin e pasmë.
Në të njëjtin ambient është konstatuar edhe një automjet tjetër identik me targa të rregullta, çka forcon dyshimet për përdorimin e tij në maskimin e gjurmëve. Gjithashtu, janë gjetur rrobat e autorëve dhe një palë targa të hequra.
Nga hetimet paraprake rezulton se automjeti ishte marrë me qira në zonën e Rinas dhe më pas i janë hequr targat për t’u përdorur në krim. Dyshohet se autorët u kanë prerë rrugën viktimave dhe kanë qëlluar ndaj tyre me armë zjarri.
Pas atentatit, mjeti është fshehur në një banesë, ku është mbuluar me bar për të shmangur identifikimin. Paralelisht, në një tjetër zonë është gjetur edhe një automjet tjetër i dyshuar i përdorur nga autorët.
Policia ka shpallur në kërkim një 22-vjeçar, i dyshuar për “vrasje në rrethana cilësuese” dhe “mbajtje pa leje të armëve”, ndërsa vijojnë kontrollet për kapjen e bashkëpunëtorëve dhe dokumentimin e plotë të krimit.