Atentati në Pogradec, arrestohet bashkëpunëtori dhe i plagosuri
Zbardhen zhvillime të reja nga atentati me armë zjarri i ndodhur më 30 qershor në Pogradec, ku mbeti i plagosur 35-vjeçari Brian Syzo. Policia ka vënë në pranga një nga personat e dyshuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje, ndërsa ka arrestuar edhe vetë të plagosurin për një vendim të mëparshëm gjyqësor.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, në pranga ka rënë 22-vjeçari Edison Agolli, i cili ishte shpallur në kërkim menjëherë pas atentatit. Arrestimi i tij u krye nga strukturat e hetimit të krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, pas një pune intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Nga hetimet paraprake rezulton se Agolli dyshohet të ketë marrë pjesë në sulmin ndaj Syzos, së bashku me vëllain e tij dhe dy persona të tjerë. Sipas të dhënave, grupi ka tentuar ta eliminojë 35-vjeçarin për motive që lidhen me interesa dhe hakmarrje, por ngjarja ka mbetur në tentativë.
Ndaj 22-vjeçarit rëndon akuza për “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, e mbetur në tentativë, një vepër e rëndë penale që po hetohet në detaje nga autoritetet.
Në një zhvillim paralel, policia ka arrestuar edhe Brian Syzon, i cili rezulton i dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për veprën penale “prodhim dhe shitje të narkotikëve”. Ai do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu pista të tjera që mund të lidhen me këtë ngjarje, përfshirë dyshimet për vendosjen e një kamere survejimi pranë IEVP Drenovë. Dyshohet se kjo pajisje është përdorur për të monitoruar lëvizjet e Syzos, çka mund të ketë ndihmuar në organizimin e atentatit.
Autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë, ndërsa pritet që në vijim të zbardhen detaje të reja mbi motivet dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



