Ishte në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 40-vjeçari në Durrës
Policia e Durrësit ka përmbyllur me sukses operacionin e koduar “Wanted 36”, duke arrestuar një shtetas 40-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për përfshirje në trafik narkotikësh dhe falsifikim dokumentesh.
Aksioni policor u zhvillua nga strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me njësitë e specializuara për hetimin e narkotikëve dhe trafiqeve të paligjshme. Pas sigurimit të informacioneve të detajuara në rrugë operative mbi vendndodhjen e tij, forcat e policisë arritën të lokalizonin dhe më pas të vinin në pranga në lagjen nr. 12 të qytetit bregdetar personin e identifikuar me inicialet O. D., i njohur edhe me një identitet alternativ si O. K.
Sipas të dhënave zyrtare, 40-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas një vendimi të formës së prerë nga Gjykata e Apelit në Venecia, e cila e kishte dënuar me 11 vite e 1 muaj burg për veprat penale që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike dhe përdorimin e dokumenteve të falsifikuara. Nga ky dënim, atij i kishin mbetur për të vuajtur edhe 4 vite e 15 ditë.
Aktualisht, strukturat e Interpol Tirana, në koordinim të ngushtë me autoritetet italiane, janë duke ndjekur procedurat ligjore për realizimin e ekstradimit të tij drejt Italisë, ku do të përballet me vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



