Avokatët ndërkombëtarë marrin “dritën jeshile” për të takuar Veliajn
Pas një periudhe të gjatë prej rreth 500 ditësh, Prokuroria e Posaçme ka dhënë miratimin për një takim mes avokatëve ndërkombëtarë dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Vendimi, i marrë disa ditë më parë, shënon një kthesë të papritur në qëndrimin e institucionit, i cili më herët kishte refuzuar në mënyrë të përsëritur kërkesa të ngjashme nga mbrojtja.
Burime pranë çështjes bëjnë me dije se nuk ka pasur zhvillime të reja thelbësore apo ndryshim rrethanash që të justifikojnë këtë ndryshim të papritur. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi arsyet reale që çuan në pranimin e kërkesës, ndërkohë që SPAK nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për opinionin publik.
Avokatët ndërkombëtarë kishin insistuar vazhdimisht për të siguruar një takim me Veliajn, duke theksuar se synimi i tyre është mbledhja e provave dhe dokumentimi i shkeljeve që, sipas tyre, janë kryer gjatë trajtimit të çështjes. Ky material synohet të përdoret në një proces të mundshëm pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, duke e çuar çështjen përtej kufijve të drejtësisë shqiptare.
Ndërkohë, hetimet ndaj Veliajt janë mbyllur dhe çështja është dërguar për gjykim që në muajin shtator. Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest që prej 8 shkurtit 2025. Në të njëjtën dosje përfshihet edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe dhjetëra persona dhe subjekte të tjera që konsiderohen pjesë e skemës së hetuar.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur ndaj Veliajt një sërë akuzash të rënda, që përfshijnë korrupsionin pasiv në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe shpërdorim detyre. Sipas hetimeve, dyshohet se përfitimet e paligjshme janë realizuar përmes marrëdhënieve me kompani të ndryshme, të cilat në këmbim kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Çështja “Veliaj” pritet të jetë një nga proceset më të ndjekura në vend, me ndikim të drejtpërdrejtë në klimën politike dhe institucionale, ndërsa zhvillimet e fundit shtojnë interesin publik dhe ndërkombëtar për këtë dosje të ndjeshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



