Banorët e Mamurrasit jetojnë pa ujë, qeveria propagandon investime dhe ‘suksese’
Denoncimi i PD-së
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka denoncuar atë që e cilëson si një tjetër skandal me investimet publike në sektorin e ujësjellësve, duke ngritur shqetësime serioze për situatën në Mamurras.
Sipas saj, ndonëse për ndërtimin e ujësjellësit të Mamurrasit janë shpenzuar miliona euro nga taksat e qytetarëve dhe janë bërë vazhdimisht premtime për përfundimin e projektit, realiteti në terren mbetet i pandryshuar. Banorët vijojnë të përballen me mungesë të ujit të pijshëm, një problem jetik që vazhdon prej vitesh.
Vangjeli akuzon qeverinë për propagandë dhe shpërdorim të fondeve publike, duke theksuar se investimet shpallen si suksese në media, ndërsa qytetarët nuk shohin asnjë përmirësim konkret në jetën e tyre të përditshme. Ajo i ka bërë thirrje Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që të nisë hetimet për këtë projekt dhe të vërë para përgjegjësisë personat e përfshirë në abuzim.
Në deklaratën e saj, ajo sjell në vëmendje edhe faktin se, sipas njoftimeve zyrtare të mëhershme, projekti ishte në një fazë të avancuar dhe pritej të përfundonte brenda vitit 2025. Megjithatë, gjatë verifikimeve në terren, mungonin elementë bazë transparence si tabelat informuese për kontraktorin, vlerën dhe afatet e punimeve.
Të dhënat zyrtare tregojnë se kompania “Shansi Invest shpk” është kontraktuar për ndërtimin e ujësjellësit dhe deri më tani ka përfituar rreth 1.9 milion euro. Ndërkohë, sipas raportit të performancës për shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve për vitin 2024, kostoja totale e projektit parashikohej rreth 6.1 milion euro, ndërsa me fazat e mëtejshme të planifikuara për vitet 2026–2028, vlera totale arrin në rreth 11.1 milion euro.
Pavarësisht këtyre shifrave të konsiderueshme, situata në Mamurras mbetet kritike. Banorët vazhdojnë të jetojnë pa ujë të pijshëm, duke u detyruar shpesh ta sigurojnë atë me mjete alternative.
Partia Demokratike shprehet se qëndron në krah të qytetarëve dhe kërkon hetim të plotë për të zbardhur se sa nga fondet e alokuara janë përdorur realisht dhe cili është progresi i vërtetë i punimeve.
Në përfundim, theksohet se qytetarët janë të lodhur nga premtimet dhe inaugurimet formale që nuk reflektohen në shërbime reale. Uji i pijshëm nuk është luks, por një e drejtë themelore, e cila sipas opozitës, vazhdon t’u mohohet banorëve të Mamurrasit.

Deklarata e plotë:
Banorët e Mamurrasit denoncojnë se ende po jetojnë pa ujë, ndërkohë që qeveria propagandon investime dhe ‘suksese’ në çdo ekran televiziv.
Sipas deklarimeve zyrtare të më shumë se një viti më parë, në një vizitë inspektimi në terren, ish zv/kryeministren dhe kreu i AKUK, njoftuan se ishin realizuar 45% e punimeve për ndërtimin e ujësjellësit të Mamurrasit , nga 43 km e rrjetit, dhe se ky projekt do të përfundonte brenda 2025.
Gjatë inspektimit në terren nuk dukej asnjë tabelë informuse për kontraktorin, vlerën dhe afatin e projektit apo mbikqyrësin, por sipas spending data rezulton se kompania shansi invest shpk është kontraktuar për ndërtimin e këtij ujësjellësi dhe deri tani ka përfituar 1.9 milion euro për ndërtimin e tij.

Sipas raportit të performancës për shoqëritë e ujësjellës kanalizimeve të vitit 2024, (publikuar në korrik 2025 nga ERRU) , ndërtimi i ujësjellësit të Mamurrasit do të kushtonte total 6.1 milion euro.


Ndërsa faza e dytë e zbatimit të këtij projekti sipas parashikimit të investimeve publike me financim të brendshëm për vitet 2026-2028 vlera totale e këtij projëkti shkon 11.1 milion euro.
Ndërkohë që miliona nga taksat e qytetarëve janë hedhur në projekte që zvarriten pafund ose mbeten vetëm në letër, është e papranueshme që në vitin 2026, banorët e Mamurrasit të vazhdojnë të përballen me mungesë uji.
Partia Demokratike qëndron në krahë të qytetarëve të Mamurrsit dhe kërkon nga Spak të hetojë dhe penalizojë përgjegjësit që kanë abuzuar me këtë investim jetik duke marrë parasysh:
Sa është realizimi real i punimeve sipas fondeve të disbursuara?
Mamurrasi dhe gjithë Shqipëria nuk ka nevojë për propaganda por ka nevojë për ujë.
Qytetarët janë lodhur nga inaugurimet false, nga kronikat televizive të montuara dhe nga tenderat që hapen me bujë, por mbyllen me dështim. Uji nuk është luks, është një e drejtë themelore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



