Banorët e Nikaj-Mërturit në protestë kundër digave të KESH-it
“Masakër, po shkatërrohet mjedisi”
Tre javë pas nisjes së punimeve në lumin e Mërturit, situata në krahinën e Nikaj-Mërturit është tensionuar ndjeshëm, ndërsa banorët lokalë kanë dalë në protestë kundër projektit që po zbatohet në zonë. Rreth 300 qytetarë, të mbështetur edhe nga aktivistë të mjedisit, kundërshtojnë ndërhyrjet për ndërtimin e tre pritave malore, të cilat sipas tyre po ndryshojnë rrjedhën natyrore të lumit.
Sipas banorëve, projekti i ndërmarrë nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka nisur pa asnjë konsultim publik dhe pa transparencën e nevojshme. Ata theksojnë se nuk janë informuar paraprakisht për natyrën e punimeve dhe se në terren mungojnë tabelat orientuese që do të sqaronin qëllimin dhe ndikimin e ndërhyrjes.
Gjatë këtyre javëve, mjetet e rënda kanë ndërhyrë në mënyrë intensive në shtratin e lumit, duke gërryer mbi një kilometër gjatësi. Kjo ka ngritur shqetësime serioze tek ambientalistët, të cilët paralajmërojnë për pasoja të rënda ekologjike dhe për rrezikun e dëmtimit të pakthyeshëm të ekosistemit të zonës.
Nikaj-Mërturi është një zonë me vlera të larta natyrore dhe mban statusin e Parkut Natyror Rajonal që prej vitit 2014. Për shkak të presionit të banorëve dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës, mjetet e punës janë tërhequr përkohësisht nga zona.
Megjithatë, komuniteti lokal shprehet i vendosur për të vijuar protestat, duke kërkuar ndalimin përfundimtar të projektit dhe garantimin e mbrojtjes së lumit të Mërturit nga çdo ndërhyrje që cenon balancat natyrore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



