E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Banorët e Rrjollit kundër resorit të Bashkim Ulajt: Do vdesim këtu!
Lajme

Banorët e Rrjollit kundër resorit të Bashkim Ulajt: Do vdesim këtu!

Banorët e Rrjollit kanë vijuar kundërshtimin ndaj projektit për ndërtimin e një kompleksi turistik në zonën Baks-Rrjoll, në Velipojë, duke u mbledhur sërish pranë territorit ku parashikohet nisja e punimeve. Pas protestave të zhvilluara më herët përpara institucioneve qendrore, ata zgjodhën këtë herë të reagojnë drejtpërdrejt në terren, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve.

Tubimi u shoqërua me momente tensioni mes protestuesve dhe forcave të policisë. Banorët bllokuan qarkullimin e mjeteve në zonë duke u ulur në rrugë, me synimin për të penguar hyrjen e mjeteve të ndërtimit dhe vazhdimin e punimeve.

Me thirrje të forta dhe deklarata të vendosura, ata shprehën se nuk do të tërhiqen nga mbrojtja e pronave dhe territorit ku jetojnë prej brezash. Sipas tyre, toka në këtë zonë është trashëgimi familjare dhe çdo ndërhyrje pa dakordësinë e tyre konsiderohet shkelje e të drejtave pronësore.

Banorët kundërshtojnë projektin e resortit turistik “Blue Borgo”, i cili po zhvillohet nga kompania “Gener 2”, e shpallur investitor strategjik. Ata pretendojnë se procedurat për lejen e ndërtimit janë mbështetur në dokumentacion të kontestuar dhe se një pjesë e sipërfaqes është përjashtuar nga statusi i zonës së mbrojtur për t’i hapur rrugë investimit.

Pak ditë më parë, dhjetëra banorë protestuan edhe para institucioneve të drejtësisë dhe Kuvendit, duke kërkuar hetim mbi procedurat dhe ndërhyrje institucionale për të verifikuar ligjshmërinë e projektit.

Një prej banoreve të zonës, Mara Paplekaj, tha se familja e saj zotëron një sipërfaqe të konsiderueshme toke në Rrjoll dhe kundërshton mënyrën se si po zhvillohet projekti. Sipas saj, banorët pretendojnë se po përballen me dokumente të dyshimta dhe me presion për të pranuar marrëveshje që nuk i konsiderojnë të drejta.

Ajo theksoi se janë zhvilluar takime me përfaqësues të kompanisë ndërtuese, por pa rezultat. Negociatat, sipas saj, nuk kanë sjellë një zgjidhje të pranueshme dhe çështja tashmë është në proces gjyqësor, ndërsa punimet kanë nisur pavarësisht kundërshtimeve.

Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të shmangur përshkallëzimin e situatës dhe për të pezulluar projektin deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata. Projekti turistik parashikon ndërtimin e 33 strukturave akomoduese me lartësi nga tre deri në dhjetë kate mbi tokë, si dhe një kat nëntokësor, ndërsa përfundimi i tij synohet brenda pesë viteve.

Zona e Baks-Rrjollit ka qenë pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Velipojë-Bunë dhe ndodhet mes Lagunës së Vilunit dhe Ranës së Hedhun, një territor me rëndësi të veçantë ekologjike. Specialistë të planifikimit të territorit paralajmërojnë se ndërhyrje të tilla mund të sjellin pasoja afatgjata për mjedisin dhe biodiversitetin, pasi zona përfshin habitate ligatinore të rëndësishme për shumë specie shpendësh.

Ekspertë të fushës theksojnë se ndryshimet ligjore të miratuara gjatë vitit 2024 i kanë dhënë institucioneve qendrore kompetenca për të miratuar leje ndërtimi edhe në zona të mbrojtura, çka sipas banorëve ka hapur rrugën për investime të mëdha në territore që më parë konsideroheshin të paprekshme.

Banorët pretendojnë gjithashtu se janë kryer negociata me persona që ata i konsiderojnë pronarë fiktivë, me qëllim përshpejtimin e procedurave. Ata deklarojnë se kanë dorëzuar kallëzime në organet e drejtësisë dhe kërkojnë hetim të plotë mbi dokumentacionin dhe procedurat.

Çështja është tashmë në proces gjyqësor, ndërsa banorët kërkojnë pezullimin e punimeve deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata e Apelit. Seanca e radhës pritet të zhvillohet më 16 shkurt.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.