Banorët e Rrjollit në protestë, policia shoqëron 6 persona
Policia e Shkodrës ka shoqëruar 6 banorë të zonës së Baks‑Rrjoll mëngjesin e kësaj të mërkure, mes tyre edhe një grua, pasi ata bllokuan rrugën për punonjësit e firmës që po ndërton një resort në pronat që pretendohet se u përkasin banorëve.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, pas shoqërimit të banorëve në komisariat, efektivët e policisë kanë shpërndarë protestuesit e tjerë, duke i hapur rrugë vijimit të punimeve nga kompania ndërtuese. Banorët pretendojnë se punimet po zhvillohen në kundërshtim me ligjin, ndërsa presin një vendim nga Gjykata e Apelit Administrativ më 19 shkurt.
Kjo është dita e 16-të e protestave të banorëve të zonës në Velipojë, të cilët kundërshtojnë atë që e cilësojnë si zaptim të pronave të tyre nga ndërtuesi. Ata i kanë bërë thirrje të vazhdueshme institucioneve të drejtësisë për ndërhyrje urgjente dhe trajtim të paanshëm të çështjes.
Banorët kanë paralajmëruar se nëse Apeli Administrativ nuk vendos për ndalimin e punimeve, do të përshkallëzojnë protestën duke hyrë në grevë urie përpara ambienteve të SPAK.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



