Me 77 kilogramë kanabis, armë dhe municione në Shkodër, arrestohen dy vëllezër
Në kërkim 24-vjeçari
Një operacion i zhvilluar nga Policia e Shkodrës ka çuar në zbulimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike, armësh dhe municionesh, duke përfunduar me arrestimin e dy personave dhe shpalljen në kërkim të një të riu. Aksioni është koduar “Polinomi 2” dhe është rezultat i një hetimi katërmujor, të kryer me metoda proaktive nën drejtimin e Prokurorisë.
Në total, gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 77 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një pistoletë, një pushkë pneumatike, municione për armë zjarri dhe armë gjahu, si dhe një sërë pajisjesh që dyshohet se shërbenin për organizimin dhe zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm.
Në pranga kanë përfunduar dy vëllezër: Gj. Sh., 49 vjeç, banues në fshatin Abat, dhe K. Sh., 57 vjeç, banues në Grudë të Re. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim djalin 24-vjeçar të këtij të fundit, K. Sh., i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në të njëjtën veprimtari.
Kontrollet në dy banesa, zbardhet sasia e drogës së sekuestruar
Gjatë ndërhyrjes në banesën e 49-vjeçarit, në fshatin Abat, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar 10 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Ndërsa kontrolli në banesën e 57-vjeçarit, në Grudë të Re, ka zbuluar një sasi edhe më të madhe droge. Aty janë gjetur rreth 66.8 kilogramë kanabis, të cilat mbaheshin të ndara në thasë.
Përveç lëndës narkotike, në këtë banesë janë sekuestruar edhe një pistoletë me krehër dhe fishekë, një pushkë pneumatike, municione për armë zjarri dhe armë gjahu, si dhe aksesorë të ndryshëm armësh.
Gjatë kontrollit janë gjetur gjithashtu një shkop metalik, dy radio marrëse-dhënëse, një peshore elektronike dhe tri pajisje optike, përkatësisht dy kamera dhe një monokular.
Operacioni “Polinomi 2”, vijon kërkimi për 24-vjeçarin
Aksioni është realizuar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë. Ai vjen në vijim të operacionit të mëparshëm “Polinomi”, të zhvilluar disa ditë më parë, gjatë të cilit ishte goditur një grup i dyshuar kriminal.
Hetimet kanë vijuar për katër muaj, ndërsa ndërhyrja e fundit ka çuar në sekuestrimin e drogës dhe arsenalit të armëve e pajisjeve të tjera.
Policia njofton se puna vijon për lokalizimin dhe kapjen e 24-vjeçarit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarive të dyshuara kriminale.
Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për vijimin e veprimeve hetimore dhe procedurale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



