Zbulohet baza sekrete e drogës nën tokë në Shkodër, 10 të arrestuar
Një bazë e fshehtë për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit është zbuluar nga Policia e Shkodrës në zonën e njohur si “Kanali i Drinit”. Ambienti ishte ndërtuar nën tokë, ndërsa hyrja e tij ishte kamufluar brenda një magazine, në mënyrë që të mos binte në sy. Operacioni policor i koduar “Labirinti” përfundoi me arrestimin e 10 personave dhe sekuestrimin e rreth 2600 bimëve të dyshuara narkotike dhe 170 kilogramëve kanabis të përpunuar.
Sipas të dhënave të bëra publike nga policia, zbulimi i bazës erdhi pas një pune hetimore dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative. Në vijim, efektivët organizuan kontrolle në dy objekte të identifikuara në zonën e “Kanalit të Drinit”.
Gjatë kontrollit në njërën prej tyre, një magazinë, policia zbuloi një hyrje të maskuar që të çonte drejt një strukture nëntokësore. Pas saj fshihej një ambient i organizuar për zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm, i ndarë në dy hapësira me funksione të ndryshme.
Njëra pjesë ishte përshtatur për kultivimin e bimëve të kanabisit në vazo, ku për rritjen e tyre përdoreshin llamba të posaçme. Ndërsa hapësira tjetër ishte kthyer në vend për përpunimin e lëndës narkotike. Pra, bëhej fjalë për një strukturë ku kultivimi dhe përpunimi i kanabisit kryheshin brenda të njëjtit kompleks të fshehur nën tokë.
Në momentin e ndërhyrjes, në ambientin nëntokësor u gjetën dhe u arrestuan në flagrancë 10 persona, të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në këtë veprimtari.
Të arrestuarit janë:
-
D. K., 36 vjeçe, dhe M. P., 38 vjeçe, banuese në Gjirokastër;
-
A. K., 61 vjeç, E. K., 41 vjeç dhe R. D., 28 vjeç, banues në Cërrik;
-
A. G., 37 vjeç, banues në Tiranë;
-
A. L., 46 vjeç, banues në Poliçan;
-
F. L., 18 vjeç, dhe A. T., 30 vjeç, banues në Ishull-Lezhë;
-
E. T., 25 vjeç, banues në Mirditë.
Nga verifikimet e kryera gjatë operacionit rezultoi se njëri prej personave të arrestuar, A. L., 46 vjeç, ishte shpallur më herët në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër.
2600 bimë kanabisi dhe 170 kilogramë lëndë narkotike e përpunuar janë sasitë e sekuestruara gjatë ndërhyrjes. Bimët ishin kultivuar në vazo brenda ambientit të përshtatur nëntokësor, ndërsa lënda narkotike e përpunuar ishte paketuar në 10 thasë plastikë.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Ndërkohë, hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal, përcaktimin e rolit të secilit prej të arrestuarve dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në këtë veprimtari.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



