Banorët në Qerret denoncojnë shkatërrimin e zonës “Laguna Blu”
Kush po e shkatërron plazhin e Qerretit? Pse heshtin institucionet dhe ku është SPAK?
Një shqetësim i ri për mjedisin në bregdetin e Qerretit është ngritur së fundmi në rrjetet sociale, ku gazetari Almer Toska ka publikuar një reagim të fortë lidhur me ndërhyrjet e kryera në zonën e njohur si “Laguna Blu”.
Në shkrimin e tij, gazetari shkruan se banorët e zonës kanë denoncuar hyrjen e mjeteve të rënda më 26 maj 2026, të cilat sipas tyre kanë prerë pisha, dëmtuar struktura mbrojtëse dhe kanë hapur një rrugë të re drejt vijës bregdetare.
Ai thekson se ndërhyrja pretendohet të jetë kryer në një hapësirë që konsiderohej zonë e gjelbër dhe me rëndësi për ekosistemin lokal, duke ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e punimeve.
Sipas gazetarit, banorët ngrenë shqetësimin se gjithçka ka ndodhur pa transparencë dhe pa u bërë publik asnjë dokument zyrtar. Ai shkruan se në reagimet e tyre, qytetarët pyesin për mungesën e një projekti të publikuar, studimit të ndikimit në mjedis dhe lejeve përkatëse për ndërhyrjen.
Më tej, në reagimin e tij, Toska shprehet se situata bëhet edhe më problematike nga fakti që, sipas pretendimeve të banorëve, punimet janë zhvilluar në prani të strukturave shtetërore, pa asnjë reagim publik.
Gazetari nënvizon se kjo situatë ngre dyshime për interesa ndërtimore të fshehura, të cilat mund të jenë maskuar si ndërhyrje publike, ndërsa paralajmëron për pasojat që mund të ketë në mjedis dhe në karakterin turistik të zonës.
Në fund të reagimit të tij, ai i bën thirrje institucioneve që të reagojnë dhe kërkon përfshirjen e SPAK, në rast se konstatohet shkelje e ligjit apo abuzim me territorin.
Postimi i plotë:
Kush po e shkatërron plazhin e Qerretit? Pse heshtin institucionet dhe ku është SPAK?
Një tjetër alarm mjedisor po shpërthen në bregdetin shqiptar. Këtë herë në Qerret, aty ku banorët denoncojnë një ndërhyrje të rëndë në zonën e njohur si “Laguna Blu”, pranë fshatrave turistike, duke ngritur dyshime të forta për interesa ndërtimore të fshehura dhe shkelje flagrante të ligjit.
Sipas banorëve, mëngjesin e 26 majit 2026, fadromat dhe mjetet e rënda kanë hyrë në zonë duke prerë pisha, shkatërruar mure mbrojtëse dhe hapur një rrugë të re drejt bregdetit, përmes një hapësire të gjelbër që deri dje konsiderohej zonë mbrojtëse natyrore.
Më skandalozja? E gjithë ndërhyrja, sipas tyre, është kryer nën sytë e Policisë Bashkiake, IKMT-së dhe Policisë së Kavajës, pa asnjë transparencë publike dhe pa asnjë dokument të bërë publik për qytetarët.
Ku është projekti?
Ku është studimi i ndikimit në mjedis?
Ku janë lejet?
Kush e dha urdhrin për të prerë pishat dhe për të ndryshuar strukturën e zonës?
Banorët thonë se askush nuk është konsultuar. Askush nuk është informuar. Askush nuk ka parë dokumentacion. Dhe kjo ngre dyshime të forta se pas ndërhyrjes mund të fshihen interesa të pastra betonizimi dhe zhvillime private që po maskohen si “punime publike”.
Hapja e rrugës drejt detit ka krijuar një akses të pakontrolluar në zonë, duke rrezikuar sigurinë, ekuilibrin mjedisor dhe karakterin turistik të Qerretit. Një tjetër perlë e bregdetit shqiptar rrezikon të kthehet në viktimë të betonit, klientelizmit dhe mungesës së shtetit.
Dhe ndërsa pishat bien njëra pas tjetrës, institucionet heshtin.
SPAK nuk mund të heshtë përballë një rasti ku dyshohet për shkatërrim mjedisor, abuzim me territorin dhe ndërhyrje pa transparencë. Nëse janë shkelur procedurat ligjore, atëherë përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi penale.
Banorët kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të punimeve, publikimin e çdo lejeje dhe hetim të plotë për çdo institucion dhe subjekt të përfshirë në këtë skandal.
Sepse pyetja që ngrihet sot në Qerret është e thjeshtë dhe e rëndë:
Kush po e shkatërron bregdetin shqiptar dhe kush po i mbron ata?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



