Basha flet për projekt ndryshimin: Koha të japim zgjidhjet tona
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa zhvilloi një takim me qytetarët e Shkodrës, ka falenderuar të gjithë shkodranët që nuk votuan në 30 qershor dhe refuzuan masivisht regjimin e Edi Ramës.
“Ndryshimi të vërtetë, ndryshimi të qëndrueshëm, ndryshimi për çdo shqiptare e për çdo shqiptar. Ndryshim që s’mund të vijë vetëm me fjalë por me vepra dhe me garanci.
Duhet të vijë me ndryshime kushtetuese, me ndryshime zgjedhore, me ndryshime politike që do i paraprijnë një transformimi të thellë në radhë të parë të ekonomisë që është dhe plaga më e rëndë e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë dhe po kështu një transformimi të thellë, modernizues për vendin”, tha Basha.
“Së pari dua të falënderoj të gjithë shkodranët që refuzuan masivisht Edi Ramën. Dua të falënderoj edhe socialistët shkodranë që braktisën PS. Ata i çuan mesazhin kuptimplotë kupolës kriminale që ka kapur partinë e tyre.
Së dyti jam këtu për t’ju thënë shkodranëve se për mua dhe PD, refuzimi i Ramës dhe regjimit të 30 qershor është motivim dhe përgjegjësi për ta kthyer këtë votë masive për largimin e regjimit antikombëtar, për ta kthyer në shpresë dhe projekt ndryshimi që duhet të vijojë me vepra dhe garanci.
Jam shumë i vetëdijshëm për kohët e vështira ekonomike që Shkodra po kalon , tani është koha të japim zgjidhjet tona.
Nuk mjafton të themi që kjo është një pasojë e qeverisjes së dështuar, të papërgjegjshme, të korruptuar e kriminale të Edi Ramës. Tani është koha të japim zgjidhjet tona për t’i dhënë fund një ekonomie të kapur nga 5 oligarkë, 5 banda kriminale dhe Edi Rama dhe sejmenët e tij. Pra, për të liruar tregun, për të çliruar konkurrencën, për të ulur taksat, për të ulur dhe jo rritur siç ka bërë plan Edi Rama, çmimin e naftës, çmimin e energjisë, për t’i dhënë fund monopolizimit dhe kapjes së ekonomisë nga të njëjtat interesa që kanë kapur parlamentin, që kanë kapur politikën dhe për t’iu kthyer shqiptarëve përmes lirisë dhe demokracisë të drejtën dhe mundësitë për të punuar e jetuar me dinjitet”, deklaroi Basha.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



