Bashkia Elbasan drejt biznesit, do hapë bujtina, agroturizme, lokale
Bashkia e Elbasanit ka ndërmarrë një hap të ri me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale, duke themeluar një shoqëri aksionere publike me fokus në agroturizëm, bujqësi dhe administrim pasurish. Kompania e re, e quajtur “Eko Rural Elbasan”, është në pronësi të plotë të bashkisë dhe tashmë është regjistruar zyrtarisht pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Sipas dokumentacionit zyrtar, kjo shoqëri do të operojë në zhvillimin, administrimin dhe promovimin e turizmit rural, duke përfshirë ngritjen dhe menaxhimin e bujtinave, fermave turistike dhe organizimin e aktiviteteve rekreative dhe edukative në zonat rurale. Ky pozicionim e vendos bashkinë në një rol aktiv në treg, në sektorë ku tradicionalisht dominojnë operatorët privatë.
Përveç turizmit, “Eko Rural Elbasan” do të angazhohet edhe në sektorin bujqësor, duke përfshirë grumbullimin, përpunimin, ambalazhimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore. Në plan është edhe ngritja apo marrja me qira e pikave të grumbullimit për fruta dhe perime, si të freskëta ashtu edhe të përpunuara.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm i aktivitetit të kompanisë lidhet me sektorin e qumështit dhe nënprodukteve të tij. Shoqëria do të ketë të drejtë të operojë në prodhimin dhe tregtimin e produkteve si djathi, gjalpi dhe gjiza, duke mbuluar disa hallka të zinxhirit bujqësor – nga mbledhja e prodhimit deri te dalja në treg.
Statuti i kompanisë parashikon gjithashtu kompetenca të gjera në administrimin e pasurive, duke përfshirë dhënien dhe marrjen me qira apo përdorim të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, në funksion të realizimit të objektit të saj.
Një element tjetër që bie në sy është e drejta për të krijuar ose për t’u bërë pjesë e subjekteve të tjera tregtare. “Eko Rural Elbasan” mund të themelojë shoqëri të reja, si dhe të marrë pjesë si bashkëthemeluese në struktura bashkëpunimi bujqësor apo kompani të tjera private.
Krijimi i kësaj shoqërie zgjeron ndjeshëm hapësirën ekonomike të Bashkisë së Elbasanit, duke i dhënë asaj mundësi të operojë paralelisht në disa sektorë: turizëm, bujqësi, tregti dhe administrim pronash.
Megjithatë, modele të tilla kanë ngjallur diskutime lidhur me ndikimin që mund të kenë ndërmarrjet publike në treg dhe mënyrën e përdorimit të pasurive shtetërore. Veçanërisht kur këtyre strukturave u jepen kompetenca të gjera për administrimin e pronave dhe bashkëpunime me sektorin privat, lind nevoja për transparencë dhe mbikëqyrje të shtuar.
Në rastin konkret, statuti i “Eko Rural Elbasan” i jep kompanisë një profil të gjerë tregtar, duke e pozicionuar atë si një aktor publik me funksione të ngjashme me një kompani private, në një treg ku konkurrenca dhe rregullat e lojës mbeten thelbësore për zhvillimin ekonomik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



