Bashkim Ulaj dhe dy super-tenderët që lanë Vlorën në thatësirë
Si dështoi ujësjellësi ‘me garanci 10 vjet’
Prej pesë ditësh, qyteti i Vlorës po përjeton një krizë të rëndë furnizimi me ujë, jo për shkak të mungesës së burimeve natyrore, por si pasojë e dështimit të plotë të rrjetit të shpërndarjes. Ndërkohë që drejtuesit vendorë dhe Ujësjellësi e justifikojnë situatën me “amortizim” dhe “defekte teknike”, dokumente zyrtare investimi tregojnë një realitet krejt tjetër.
Rezulton se rrjeti i ujësjellësit të qytetit është rindërtuar vetëm 3 vite e gjysmë më parë, përmes dy kontratave madhore të financuara nga fondet publike, me vlerë totale rreth 9.6 miliardë lekë me TVSH. Të dy tenderët janë zhvilluar nga Bashkia e Vlorës dhe Ujësjellësi, dhe janë përfituar nga e njëjta kompani.
Bëhet fjalë për shoqërinë “Gener 2 Sh.p.k”, në pronësi të biznesmenit Bashkim Ulaj, e cila ka përfshirë në punime edhe kompaninë e lidhur “4 AM Sh.p.k”. Kontratat janë firmosur gjatë mandatit të ish-kryebashkiakut Dritan Leli dhe ish-drejtorit të Ujësjellësit, Shkëlqim Leskaj.

Tenderi i parë, i datës 25 shtator 2020, kishte si objekt ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit në zonat Lungomare – Uji i Ftohtë – Shkolla e Marinës. Vlera e kontratës ishte rreth 6.3 miliardë lekë, me afat zyrtar punimesh një vit, por që në praktikë u zvarrit për gati dy vite. Kontrata u firmos pothuajse në kufijtë maksimalë të fondit limit dhe parashikonte garanci funksionimi 10-vjeçare, ku çdo defekt duhej të mbulohej financiarisht nga kompania private.
Një vit më pas, më 29 qershor 2021, u zhvillua tenderi i dytë për ujësjellësin e qytetit, me vlerë rreth 3.3 miliardë lekë me TVSH, afat punimesh 6 muaj dhe pa garë reale. Edhe kjo kontratë iu dha të njëjtës kompani, sërish me garanci 10-vjeçare për funksionimin e rrjetit.

Megjithatë, në praktikë kjo “garanci” ka zgjatur vetëm tre vite. Sot, familjet dhe bizneset e Vlorës janë pa ujë prej ditësh, ndërsa paradoksalisht shpenzimet për riparimin e rrjetit po mbulohen nga buxheti i shtetit, jo nga kompania që kishte detyrimin kontraktual.
Skandali thellohet më tej, pasi në shkurt të vitit 2021, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve i ka akorduar të njëjtës kompani edhe rreth 400 milionë lekë shtesë, për punime të lidhura me furnizimin me ujë dhe kanalizime, fonde që janë likuiduar në fund të vitit 2024.
Ndërkohë, më 21 maj 2021, Bashkim Ulaj ka përfituar edhe një tjetër kontratë me vlerë 8.7 miliardë lekë, për rikonstruksionin e ujësjellësit në fshatrat e Njësisë Administrative Novoselë, edhe pse në disa prej këtyre zonave rrjeti vijon të mos funksionojë.
Situata ka sjellë reagime të forta nga qytetarët. Të dielën në mbrëmje, banorë të revoltuar ndërhynë në sallën ku Bashkia e Vlorës po zhvillonte një mbrëmje gala, ndërsa të hënën protestat u zhvendosën në ambientet e Bashkisë dhe Prefekturës. Pavarësisht kësaj, pushteti qendror dhe ai vendor vijojnë aktivitetet festive të fundvitit, ndërsa qyteti mbetet pa shërbimin më jetik: ujin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



