E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Basti i madh i kreut të Policisë së Shtetit, Skënder Hita
Lajme

Basti i madh i kreut të Policisë së Shtetit, Skënder Hita

A do të godasë majën dhe do të pastrojë policinë, apo do të heshtë si të tjerët?

Në Shqipëri, krimi nuk fshihet më. Operon hapur, ndërton kulla, hap resorte dhe financon luksin me para që duhet të ishin në buxhetin e shtetit. Madje kanë guximin që bosët e call center-ave, si Granit Pepnika, të kërcënojnë me jetë, ditën për diell, nga tavolina e Neritan Nallbatit, të cilin Hita e mban akoma Drejtor të Policisë Kriminale, një gazetar.

Bota e basteve ilegale është një industri kriminale në hije që askush nuk e mohon, por pak guxojnë ta prekin.

SPAK-u e ka dosjen. Me faqe, me emra, me shifra. Dhjetëra platforma pa licencë, qindra miliona euro në vit. Por ajo që mungon nuk është informacioni. Është veprimi.

Në këtë vakuum duhet të hyjë Skënder Hitaj. Vetëm tre javë në detyrë dhe një ritëm që nuk i ngjan zakonit të vjetër të policisë: aksione të shpejta, goditje konkrete, bashkëpunim ndërkombëtar, sekuestrime dhe arrestime që nuk ndalen te “peshqit e vegjël”. Zëvendësimi i drejtorit të AMP-së, Eduart Merkaj, me Klevis Qosen ndoshta është një sinjal tjetër pozitiv. Duket se grupi i Gys Agasit dhe Çelës kishin planifikuar Ilir Prodën për këtë post mjaft të rëndësishëm për punën e policisë.

Call center-at po bien një e nga një. Ambientet e lojërave të fatit po mbyllen. Brenda policisë, karriget nuk janë më të sigurta.

Një denoncim për policinë e Sarandës në redaksinë tonë tregon se policia kishte degraduar keq. Drejtues do të largohen, të tjerë japin dorëheqje, ndërsa efektivë përfundojnë në pranga. Një sinjal i qartë: imuniteti institucional po çahet.

Por kjo nuk është prova e vërtetë.

Aty ku paratë janë të mëdha, lidhjet janë më të forta dhe mbrojtja politike më e trashë. Aty ku nuk mjafton një aksion policor, por duhet vullnet për të përplasur interesat që kanë mbajtur këtë treg gjallë për vite.

Deri tani, shteti ka zgjedhur të shohë, të lexojë, të presë. Dhe ndërkohë, miliarda lekë kanë kaluar nga duart e qytetarëve në xhepat e një pakice që nuk pyet për ligj.

Skënder Hitaj ka një avantazh që të tjerët nuk e patën: momentin. Një klimë presioni publik, dosje gati nga SPAK-u dhe një fillim që ka krijuar perceptimin e forcës.

Por perceptimi nuk mjafton.

Nëse godet vetëm periferinë, bëhesh pjesë e sistemit. Nëse prek majën, e ndryshon atë.

Ky është basti i vërtetë i kryepolicit.

Jo me krimin e vogël, por me strukturën që e mban atë në këmbë. Jo me operatorët, por me ata që i mbrojnë. Jo me simptomën, por me burimin.

Sepse në fund, pyetja nuk është çfarë ka bërë në tre javë.

Pyetja është çfarë do të bëjë kur të përballet me “të paprekshmit”.

Aty ndahet historia nga rutina dhe rikthehet autoriteti i nëpërkëmbur i Policisë së Shtetit, i cili kishte degraduar shumë keq, duke humbur besimin e qytetarëve. Ky është basti i vërtetë i kreut të ri të Policisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.