E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Berisha nuk pyet për BE, nuk tërhiqet nga sulmet ndaj Gonzatos
Lajme

Berisha nuk pyet për BE, nuk tërhiqet nga sulmet ndaj Gonzatos

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar edhe më tej qëndrimin e tij ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, duke e cilësuar atë si lobist të kryeministrit Edi Rama.

Në një konferencë për shtyp, Berisha u pyet lidhur me reagimin zyrtar të Bashkimit Europian, i cili një ditë më parë i konsideroi të papranueshme sulmet e tij ndaj ambasadorit Gonzato. Pavarësisht këtij qëndrimi, ai deklaroi se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga akuzat e bëra.

“Çdo gjë që kam thënë, e kam pasur dhe e kam të bazuar në dy ose më shumë burime. Unë kam respektin më të madh dhe simpatinë më të madhe për Komisionin Europian, për ambasadorët, për përfaqësuesit e vendeve anëtare. Por ska gjë në botë që më pengon të denoncoj atë që e konsideroj të padrejtë dhe nuk kam ndërmend të ndalem në këto komente, por edhe njëherë them dhe të jap një seri shembujsh”, tha Berisha.

Ai shtoi se nuk synon të hyjë në polemika me institucionet europiane, por theksoi se nuk mund të pranojë, sipas tij, akte të papranueshme.

“Nuk kam asnjë dëshirë të polemizoj, sepse kam respektin më të madh për KE-në, por nuk mund të pajtohem me akte të papranueshme. Ndaj dhe i kam denoncuar jo sot, por vite e vite më parë dhe do ti denoncoj ato. Të vërtetat unë nuk mund t’i fsheh”.

Reagimi i Bashkimit Europian erdhi një ditë më parë, në përgjigje të deklaratave të Berishës të bëra në Ditën e Evropës. BE dënoi ashpër sulmet personale ndaj ambasadorit Gonzato, duke i cilësuar ato të papranueshme dhe duke shprehur mbështetje të plotë për të.

“Deklarata të tilla janë të papranueshme. BE-ja dënon fuqimisht sulmet personale të bëra në Ditën e Evropës kundër Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Ambasadori i BE-së ka vepruar në çdo kohë me profesionalizëm dhe integritet të plotë. Ne kemi besim të plotë tek ai dhe puna e tij”, thuhet në reagimin zyrtar.

Përplasja mes liderit të opozitës dhe përfaqësuesve të BE-së në Tiranë shton tensionin politik në vend, në një moment të ndjeshëm për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.