E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Beteja e fiqve
Humor

Beteja e fiqve

 

Para më shumë se dy mijë vitesh, në brigjet e Palasës do të shkelte këmba e Jul Cezarit me legjionarët e tij, në marshimin drejt përballjes së madhe me ushtrinë e Pompeut.

Llogaraja, Orikumi dhe Apolonia do të bëheshin pjesë e një prej kapitujve më të rëndësishëm të luftës civile romake, ku në lojë ishin pushteti, lavdia dhe fati i vetë Romës.

Kronistët e lashtësisë, nga Plutarku te Apiani e Dio Kasi, shkruan për marshimet, frikën, moralin e ushtrive dhe territorin ku lëviznin legjionet.

Dy mijë vjet më vonë, vetëm pak kilometra më tutje, historia vendosi të përsëritej në një formë shumë më modeste, por jo më pak epike.

Këtë herë nuk kishte legjione, Pompe apo shpata.

Kishte një Kryeministër, gazetarin Arjan Konomi, policë dhe disa fiq të butë të Vunoit.

Fiqtë e Vunoit

Thuhet se një ditë Konomi mori disa fiq dhe vendosi t’ia çonte sovranit të ditëve moderne.

Rojet pretoriane panë fiqtë dhe u vunë në gatishmëri.

— Çfarë janë këto? — mund të kishte pyetur Lartmadhëria.

— Fiq, Lartmadhëri. Nuk i njihni?

— Dhe për çfarë shërbejnë?

— Për t’u ngrënë.

Konomi mori një fik dhe e hëngri.

Pastaj mori të dytin, e ndau përgjysmë dhe tregoi se fiqtë mund të konsumoheshin edhe në një mënyrë më të sofistikuar.

Rojet kuptuan menjëherë rrezikun strategjik.

Me atë ritëm, fiqtë mund të mbaronin.

Dhe përpara se situata të degradonte në një krizë shtetërore, pretorianët ndërhynë.

Konomin e ngritën në hava bashkë me fiqtë e Vunoit dhe e çuan drejt birucës.

Fiqtë, sipas traditës së lashtë ballkanike, mbetën në fushën e betejës dhe u morën nga të pranishmit si plaçkë lufte, ose ndoshta si një gjest mirënjohjeje nga Zemërgjeri.

Kështu përfundoi Beteja e Fiqve.

Pa të vrarë.

Pa legjione.

Por me polici, gjoba, fiq dhe kronika.

Vetëm se këtë herë historianët nuk quhen Plutark, Apian apo Dio Kasi.

Kronikat moderne janë edhe më të pamëshirshme.

Arjan Konomi dha versionin e tij të betejës.

Kryeministri publikoi videon qeveritare.

Tani historianëve të së ardhmes u mbetet vetëm të përcaktojnë se kush e fitoi betejën.

Një gjë është e sigurt:

Në Palasë luftohej për Perandorinë Romake.

Në Vuno, për fiqtë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.