Ermal ‘Raketa’, ministri që i jep ‘gaz raketës’, por ‘frenon shqipen’
Ministri Ermal Nufi paska dalë të shprehë ngushëllimet për tragjedinë e rëndë në Bosnjë-Hercegovinë, por këtë herë lajmi nuk është vetëm aksidenti tragjik. Është edhe formulimi gjuhësor që na la me një pikëpyetje!
O Ermal “Raketa”, me çfarë karburanti e ushqen këtë raketë, se me shqipen duket që nuk po merr lartësi! E nise mesazhin si komunikim zyrtar, por një fjali të paktën kërkon edhe pak kontroll para nisjes. 🚀
Në statusin e tij, ministri shkruan: “Mendimet e mia shkojnë për viktimat, familjet e tyre dhe të lënduarit.”
O ministër, mendimet nuk kanë nevojë për biletë avioni që të shkojnë diku! Shprehja tingëllon e panatyrshme në shqip dhe të krijon përshtypjen e një përkthimi mekanik nga një gjuhë tjetër.
Një formulim më i natyrshëm do të ishte: “Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe të lënduarit.”
Ndërsa, për një mesazh zyrtar ngushëllimi, mund të ishte zgjedhur edhe një formulim më i drejtpërdrejtë: “U shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjeve të viktimave dhe uroj shërim të shpejtë për të lënduarit”.
Pra, ministër, shqipja i ka fjalët e duhura. Nuk ka nevojë t’i nisësh mendimet në fluturim që të shprehësh solidaritetin. Mjafton të zgjedhësh shprehjen e duhur!
Të gjithë mund të gabojmë kur shkruajmë, por kur je ministër dhe komunikon në emër të institucioneve shtetërore, një lexim i dytë përpara publikimit nuk do të ishte aspak i tepërt.
Nuk e dimë nëse mesazhin e shkrove vetë, ta bëri gati ChatGPT-ja, ta përgatiti ndonjë këshilltar apo ia dhe dikujt tjetër me porosinë “ma bëni gati për Facebook”. Por një gjë është e sigurt: kontrolli teknik para nisjes duhej bërë! Edhe raketat kalojnë kontrolle para se të lëshohen, jo më një deklaratë e një ministri të Republikës së Shqipërisë.
Pra i nderuar zoti Ermal “Raketa”, një sugjerim miqësor: para se të ngresh mesazhe solemne në qiellin e diplomacisë, bëju një kontroll teknik në tokë. Se raketa mund të ketë motor, karburant dhe trajektore, por një status ministri duhet të ketë edhe shqipe të natyrshme!
Herën tjetër, para se të shtypësh “Publiko”, kontrollo nëse është gati për nisje edhe gjuha shqipe.
Ngushëllimet për viktimat e tragjedisë janë çështje serioze dhe meritojnë respekt. Pikërisht për këtë arsye, edhe komunikimi zyrtar kërkon kujdes dhe korrektësi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





